KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » “Dronët”, Sfida e sigurisë në “EURO 2016”
"Dronet" ne euro 2016

“Dronët”, Sfida e sigurisë në “EURO 2016”

Siguria, sidomos ajo brenda stadiumeve, mbetet kryefjala e shqetësimit të vendit organizator të Evropianit 2016, Francës, por edhe e organizmit që qeveris futbollin kontinental, UEFA-s. Për këtë arsye, që nga sulmet terroriste të nëntorit në Paris, 10 stadiumet ku do të zhvillohen ndeshjet e Evropianit janë deklaruar zona ku ndalohen fluturimet. Por, shqetësim edhe më i madh sesa avionët apo helikopterët, janë mjetet e vogla fluturuese, të njohura gjerësisht si “dronë”. Dhe UEFA nuk rrezikon në asnjë drejtim dhe, në një intervistë për Agjencinë “Associated Press”, shefi i sigurisë së “Euro 2016”-ës, Zijad Khuri shpjegoi se, përveç stadiumeve, edhe bazat stërvitore të 24 ekipeve përfaqësuese, pjesëmarrëse në këtë veprimtari. “Është vërejtur një përhapje në masë e “dronëve” nga popullsia civile dhe kjo na paraqet një sfidë të re sigurie”, – ka thënë ai, duke vijuar: “Për këtë arsye, ne kemi marrë masat kundër këtyre pajisjeve, masa që shfrytëzojnë fjalën e fundit të shkencës. Bëhet fjalë për përdorimin e valëve të shkurtëra apo sistemeve të sofistikuara portative që i largojnë “dronët” nga stadiumet, që e kalojnë kontrollin e tyre nga duart e pronarëve në duart e policisë apo që thjesht bllokojnë valët në zonën e caktuar, duke çuar në netralizimin e këtyre pajisjeve fluturuese, por duke shmangur rënien e tyre mbi tifozët apo sportistët”, – ka përfunduar shefi i sigurisë së Evropianit. Megjithatë, me avancimin e shpejtë të teknologjisë, sfida e sigurisë është më e ndërlikuar se ç’duket në pamje të parë.