KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » Duka: Do të kërkoja më shumë impenjim dhe përqëndrim

Duka: Do të kërkoja më shumë impenjim dhe përqëndrim

“Fillimisht, ajo që dua të theksoj është se gabime si ai që solli golin e parë, me fillimin e ndeshjes, janë të pafalshme. Loja fillon dhe përfundon, kur sinjalizon gjyqtari. Mungesa e vëmendjes ndëshkohet dhe në Europian askush nuk ti fal gabimet”, tha presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka për faqen zyrtare në internet të Federatës  fshf.org.

Gjatë vlerësimit të tij për ndeshjen Duka tha se: “Në pjesën e parë pas golit të Katarit, reaguam mirë. U përpoqëm dhe e vumë nën presion kundërshtarin, duke krijuar raste për shënim, duke punuar mirë, veçanërisht në krahun e majtë, nga ku rrezikuam shumë herë. Në pjesën e dytë, nuk morëm në dorë kontrollin e lojës dhe kundërshtari, na vuri në vështirësi në mesfushë, pavarësisht se nuk kishte kualitetin e duhur për të na goditur. Goli i Sadikut ishte i jashtëzakonshëm por duhet të luanim ashtu siç ai goditi”, tha presidenti.

“Sigurisht që ishte një ndeshje miqësore dhe jam informuar që skuadra i ka këmbët e rënduara, sepse gjatë gjithë javës ka punuar me ngarkesa. Por unë do të kërkoja më shumë impenjim dhe përqëndrim nga grupi. Ne duhet të japim gjithmonë maksimumin, në mënyrë që të kemi rezultat. Shpresoj shumë që kjo ndeshje të na ketë shërbyer për të korrigjuar gabimet”, shtoi në fund Duka.