KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Durrës, nis Festivali teatror “Verë në Epidamn”
Durrës, nis Festivali teatror “Verë në Epidamn”

Durrës, nis Festivali teatror “Verë në Epidamn”

Amfiteatri i Durrësit ka marrë jetë duke u kthyer në arenën e teatrit bashkëkohor. Festivali teatror “Verë në Epidamn” ka startuar mbrëmjen e së enjtes ku për 10 netë artdashësit e teatrit do të kenë mundësi të shijojnë shfaqe të trupave të ndryshme teatrore të vendit tonë. Festivali i artit të muzave zhvillohet për herë të parë në qytetin e Durrësit dhe siç është shprehur në natën e hapjes drejtoresha artistike Driada Dervishi, ai synon të sjellë një verë ndryshe për qytetarët dhe pushuesit dhe pse jo të përcjellë edhe një mesazh.
Festivali  “Verë në Epidamn”, është hapur me komedinë “Doktor Shuster”, të trupës “Andon Zako Cajupi” të qytetit të Korçës. Ky aktivitet synon midis të tjerash të krijojë atmosferën e munguar artistike , kur rrallë është trajtuar amfiteatri si qendër kulturore përsa i përket ngjarjeve artistike me përmasa të tilla. Përveç amfiteatrit antik, aktivitetet pritet të zhvillohen për herë të parë edhe në mjediset e  banjave romake  nën kujdesin e regjisores Adelina Muça. Festivali mbyllet në 20 gusht dhe deri në këtë datë janë planifikuar të jepen 7 shfaqje nga aktorët dhe muzikantët më të mirë nga i gjithe vendi, për të gjithë artdashësit dhe turistët.