KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Dy muaj nga zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë, Clinton në avantazh
trump, clinton, obama, debat, zgjedhjet ne amerike

Dy muaj nga zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë, Clinton në avantazh

Po bëhet akoma më e ashpër gara për Shtëpinë e Bardhë, kur mbesin saktësisht dy muaj nga dita e zgjedhjeve Presidenciale amerikanë të 8 nëntorit. Sipas një sondazhi të CNN-it kandidati republican Donald Trump është në avantazh me 2 pikë në përqindje kundrejt kandidates demokrate Hillary Clinton, 45% me 43%. Sipas rezultateve të Washington Post, ish-sekretarja e Shtetit është në avantazh përsa i përket delegatëve. Bëhet fjalë për një tregues shumë domethënës sepse presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës zgjidhët nga kolegji zgjedhor i përbërë nga 538 zgjedhës të mëdhenj. Këta emërohen në bazë të banorëve për çdo Shtet, me të njëjtën ndarje të përfaqësuesve në Kongres.

Sipas të përditshmes Washington Post, një ditë pas Labor Day, datë që përkon me fillimin e fushatës zgjedhore, Hillary Clinton duket se i ka të sigurta 244 vota nga 270 të nevojshme për t’u zgjedhur, ndërsa Trump ka vetëm 126. Ndeshja pra, nga kjo datë deri në ditën e zgjedhjeve, luhet për 168 zgjedhësit e mëdhenj që akoma nuk është e qartë se nga do të shkojnë. Pra Hillary ka nevojë edhe për 26 vota të tilla. Sipas analizave, në favor të gruas së parë në historinë amerikane që garon për në Shtëpinë e Bardhë, është rezultati i keq i Donald Trump te zgjedhësit e bardhë që janë më të shkolluar, që në përgjithësi janë për Partinë Repulikane. E bujshme është gara kokë më kokë që zhvillohet në Teksas, Clinton 46% – Trump 45%, “kështjellë” republikane prej 40 vitesh. Një shenjë në këtë rezultat lë vota e grave: më pak se 40% e zgjedhseve të Teksasit do të votonin për Trump.

Këto të dhëna dalin edhe në nivel Kombëtar. Clinton, sipas sondazheve, merr votat e zgjedhësve të bardhë që shkuan në kolegjet e 31 Shteteve nga 50, që do të rritej në 38 po të numëroheshin vëtëm votat e grave. Ndërkohë që Trump është në avantazh në Shtetet e Perëndimit të Mesëm (Midwest), ku zgjedhësit e bardhë janë më të moshuar. Përveç kësaj, biznesmeni njujorkez merr një avantazh të vogël në dy Shtete që ende nuk dihet se nga do të shkojnë si Ohajo dhe Ajova, por mund të marrë Shtete që zakonisht janë demokrate si Uiskonsin, Pensilvaninë dhe Miçigenin. Përgjithësisht secili prej dy kandidatëve është në avantazh të paktën katër pikë në përqindje mbi kundërshtarin në 20 Shtete, por ato Shtete ku Clinton është në avantazh kanë më shumë zgjedhës të mëdhenj.

Donald Trump ka pranuar për të marrë pjesë në tri përballjet televizive, që gjykohen si një element shumë i rëndësishëm. Takimi i parë Clinton-Trump është në program të mbahet me 26 shtator në Universitetin Hofstra dhe do të drejtohet nga Lester Holt i NBC News-it. Përballja e dytë do të mbahet me 9 tetor në Universitetin e Uashingtonit, në Shën Ljuis (St. Louis), dhe do të drejtohet nga Martha Raddatz e ABC-së dhe Anderson Cooper i CNN-it. Përballja e tretë dhe e fundit do të mbahet në Universitetin e Nevadës, në Las Vegas, me 19 tetor. Përplasjen e fundit mes dy kandidatëve për Shtëpinë e Bardhë do ta drejtojë Chris Wallace i Fox News-it.

Trump, ndërkohë, ka marrë mbështetjen e 88 ish-gjeneralëve amerikanë. “Mbështesim Donald Trump dhe punën e tij për të rindërtuar ushtrinë, për të siguruar kufinjtë tanë, të mundë kundërshtarët islamikë dhe të sjellë rregull dhe respekt të ligjit në vend”, lexohet në një letër ku u bëhet thirrje qytetarëve amerikanë që të votojnë për kandidatin republikan. Për t’i bërë pritë votave që Trump po mbledh në radhët e ushtrisë, Clinton njoftoi që do të paraqesë një plan të përshtatshëm për veteranët e luftës.

Hillary Clinton vendosi të fluturojë. Në periudhën e fushatës zgjedhore kandidatja demokrate do të lëvizë në Shtete të ndryshme të vendit në aeroplanin Boeing 737-800, që ka aftësi të presë qindra persona. Në anë të aeroplanit do të jetë shkrimi “Stronger together” (“Më të fortë sëbashku”). Ish-Gruaja e Parë tha se është në merak për ndërhyerjet e hackers-ave rusë në platformat dixhitale në të cilat luhet pjesa më e madhe e lojës, ndërhyrje për të cilat po heton gjyqësori.