KRYEFAQJA » LAJME » Dy oferta për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit
Rama: PPP në ndërtimin dhe mirë mbajtjen e rrugëve

Dy oferta për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit

Në Ministrinë e Transporteve kanë mbërritur dy oferta zyrtare për konçensionin e mirëmbajtjes së rrugës Durrës Kukës, e njohur si Rruga e Kombit. Në fakt bëhet fjalë për mirëmbajtjen e segmentit Milot – Morinë, rreth 60 kilometra që është dhe segmenti kryesor i rrugës. Referuar njoftimit të ministrisë, kompanitë janë konsorciume. E para është turkja”Vendeka Bilgi”, ndërsa e dyta “Catalys & Salillari”, me bashkëpronar shqiptar. Sipas ministrisë këto oferta do të marrin kohën e tyre të vlerësimit ekomik dhe teknik. Kompanitë ndërkohë kanë detyrimin që të dorëzojnë edhe një sigurim të ofertës në vlerën e 250 mijë eurove.
Ministria e Transporteve tentoi edhe vitin që shkoi të jepte mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit me konçesion tek firmat private, por komisioni i vlerësimit të ofertave financiare i asistuar nga Banka Botërore, konkludoi që ofertat e paraqitura në atë kohë binin ndesh me interesin publik, pasi kishin kosto të lartë. Në llogaritjet e qeverisë kostoja e mirëmbajtjes së rrugës luhatet nga 8 deri në 12 milionë euro në vit, ndërsa koha e zgjatjes së konçesionit 35 vjet.
Ka patur mjaftë debate lidhur me dhënien me konçesion të mirëmbajtjes së rrugës. Kjo për faktin se ajo është ndërtuar me të ardhurat nga buxheti i shtetit ku është përfshirë edhe një taksë e paguar për disa vjet nga përdoruesit e makinave e njohur si “Taksa Majko”. Një nga temat e tebatit ka qenë edhe tarifa e kalimit të rrugës. Ministri i transporteve Edmond Haxhinasto ka deklaruar disa herë se ajo nuk do ti kalojë 5 eurot për çdo automjet.