KRYEFAQJA » LAJME » Dyshimet për korrupsion, Llalla pezullon prokurorin
Dyshimet për korrupsion, pezullohet prokurori

Dyshimet për korrupsion, Llalla pezullon prokurorin

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka urdhëruar pezullimin nga detyra të një prokurori të Tiranës, pasi emisioni investigativ “Stop” në televizionin Klan ka publikuar të mërkurën në mbrëmje një video ku një oficer i policisë gjyqësore merr shumën prej 18 mijë eurosh nga një qytetar për të zhbllokuar një llogari të dyshuar bankare. Njoftimi është lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka nisur menjëherë hetimet për rastin e sapo publikuar. Prokurori Adrian Braho po hetohet në gjendje të lirë, ndërsa oficeri i policisë gjyqësore i cili shihet në video duke marrë paratë është ndaluar nga policia. Mësohet se qytetarit i ishte bllokuar prej 2 vjetësh një llogari bankare prej 120 mijë euro, në kuadër të një hetimi me dyshimet për “para të pista”. Prokurori Braho me një karierë dhjetë vjeçare, ka patur në dorë çështje të rëndësishme ku janë përfshirë emra të njohur dhe mjaftë të rëndësishëm si nga e majta ashtu dhe e djathta e politikës. “Prokuroria e Përgjithshme nxit çdo medium dhe çdo qytetar që të denoncojë rastet e korrupsionit në drejtësi, duke dhënë në këtë mënyrë ndihmesën për përmirësimin e mëtejshëm të dhënies së drejtësisë në Shqipëri” bëhet e ditur në njoftim.