KRYEFAQJA » LAJME » Edgardo Bauza, trajneri i ri i Argjentinës

Edgardo Bauza, trajneri i ri i Argjentinës

Edgardo Bauza është emëruar trajneri i ri i përfaqësueses së Argjentinës, e cila synon të dominojë futbollin amerikano-latin dhe atë botëror, si dhe shpreson ta bindë yllin e saj, Lionel Mesi, të rikthehet me fanellën bardhë-e-kaltër. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe kreu i përkohshëm i Federatës Argjentinase të Futbollit, Armando Perez, gjatë një konference për shtyp. “Kemi vendosur të zgjedhim Bauzën si trajner të ri të përfaqësueses dhe shpresojmë që ai të na sigurojë suksesin për të cilin ne kemi nevojë”, – tha Perezi. I pyetur në lidhje me çështjen e Mesit, që deklaroi tërheqjen pas finales së humbur të “Kopa Amerikës” në SHBA, kreu i futbollit argjentinas pohoi se, sipas informacionit që ka, Bauza ka komunikuar ose është duke komunikuar me Mesin për kthimin e tij në përfaqësuese. 58-vjeçari Bauza e merr këtë detyrë pas një sezoni mbresëlënës me klubin brazilian të Sao Paulos, të cilin e udhëhoqi deri në finale të Kupës “Libertadores”. Por ai e merr përsipër drejtimin e Argjentinës, detyrë të cilën e refuzuan më parë një numër trajnerësh me emër, të tillë si Diego Simeone i Atletikos së Madridit, Horge Sampaoli i Seviljes dhe Mauricio Poketino i Totenhemit.