KRYEFAQJA » LAJME » Edhe apeli i jep pafajësi ish guvernatorit Fullani
Vjedhja e BSH, Fullani përfundimisht i pafajshëm

Edhe apeli i jep pafajësi ish guvernatorit Fullani

Në Tiranë Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për pafajësi të Gjykatës së Shkallës së Parë ndaj ish-guvernatorit Ardian Fullani, në lidhje me çështjen e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë, një nga vjedhjet më të mëdha në historinë 90 vjecare të kësaj banke. Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 5 vite burgim të ish-kreut të BSH-së. Por gjykata kishte mbyllur cështjen vetëm pas 3 seancave gjyqësore. Në vendimin e pafajësisë, të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, vlerësohej se në veprimet dhe mosveprimet e Fullanit si guvernator i Bankës së Shqipërisë, prokuroria nuk ka mundur të gjejë lidhjen që ish-guvernatori ka me vjedhjen dhe për pasojë ai prezumohet i pafajshëm. Lidhur me akuzën e shpërdorimit të detyrës me dëm ekonomik 30 milionë euro për blerjen e Hotel Dajtit, gjykata argumentoi se Fullani nuk ka kryer vepër penale pasi hoteli, pavaresisht çmimit të transaksionit është një aset shtetëror. Disa media kanë shënuar me këtë rast shpejtësinë me te cilën janë zhvilluar proceset ndaj ish guvernatorit, ndërkohë që disa procese gjyqësore të rëndomtë zgjaten pa fund.

Ndërkaq, vetëm pak ditë më parë Kontrolli i Lartë i Shtetit i kërkoi Bankës së Shqipërisë të anulojë vendimin që ia ngarkon koston e vjedhjes së 713 milionë lekëve humbjeve të bankës, që do të thotë humbje e drejtëpërdrejtë për qytetarët shqiptarë. Sipas KLSH kjo është e parregullt dhe përbën një shkelje të pastër të displinës financiare.

Lajmi pritet që të provokojë rreagime nga opinioni publik.