KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Edicioni i tretë i konkursit “Legjendat shqiptare në Novelat grafike”

Edicioni i tretë i konkursit “Legjendat shqiptare në Novelat grafike”

Legjendat shqiptare do të vijnë për herë të tretë përmes novelave grafike, në konkursin e organizuar nga Ministria e Kulturës. Studentë, nxënës e artistë profesionistë e amatorë, kanë mundësinë të paraqesin punimet e tyre në një ekspozitë me novela grafike shqiptare, tematika e të cilave do të bazohet tek trashëgimia kulturore jomateriale si per shembull përrallat, gojëdhanat, legjendat etj. Këtë vit rëndësi të veçantë do t’i jepet mbrojtjes dhe zhvillimit të gjuhës shqipe, për këtë në punime do të pasqyrohet përdorimi i onomatopeve në gjuhën shqipe në novelat grafike.

Novelat grafike janë baza e shumë filmave, shfaqjeve teatrale dhe performancave të ndryshme artistike si psh. Borëbardha, Batman, Spiderman, Hirushja etj. Ky lloj arti është  kthyer në një gjini të preferuar të artit bashkëkohor,  i cili studiohet në akademitë dhe universitetet më të njohura të botës. Punimet më të mira te konkursit do të jenë pjesë e një ekspozite që do të çelet për publikun në ditën e shpalljes së fituesve si dhe e katalogut që do të shoqërojë Edicionin e tretë të konkursit “Legjendat Shqiptare në Novelat Grafike”.