KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Egjipt, Solar Impulse 2 mbërrin në Kajro
Solar_Impulse_2

Egjipt, Solar Impulse 2 mbërrin në Kajro

Avioni Solar Impulse 2, i furnizuar me energji diellore mbërriti në Egjipt, ndalesa e parafundit në udhëtimin e parë rreth botës pa karburant. Avioni që filloi udhëtimin në Abu Dhabi në mars 2015 dhe që pritet ta përfundojë përsëri aty, është pilotuar me radhë nga aviatorët zviceranë Andre Borschberg and Bertrand Piccard. Qëllimi është të sigurohet mbështetje për teknologjitë e energjisë së pastër. Solar Impulse 2, avioni elegant një-vendësh, fluturoi mbi Piramidat e Egjiptit duke bërë një ulje të qetë në aeroportin e Kajros në 7:10 të mëngjesit. Ai përfundoi një segment fluturimi që zgjati 48 orë e 50 minuta. Solar Impulse fluturon pa asnjë pikë karburanti. Katër motorët e tij furnizohen vetëm nga energjia e grumbulluar nga më shumë se 17 mijë qeliza diellore në krahët e tij. Energjia e tepërt magazinohet në bateri për ta mbajtur avionin në ajër për fluturimet me distancë të gjatë. Avioni me fibër karboni, me krahë që zgjaten sa ato të një Boeingu 747 dhe që peshon sa një makinë, nuk pritet të thyejë ndonjë rekord për shpejtësinë. Ai ngjitet deri në 8,500 metra dhe fluturon 55 deri në 100 kilometra në orë. Ekipi i avionit përgatitet tani për segmentin përfundimtar të udhëtimit për në Emiratet e Bashkuara Arabe.