KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomia rritet me 3.21% në tremujorin e dytë
Ekonomia rritet me 3.21% në tremujorin e dytë

Ekonomia rritet me 3.21% në tremujorin e dytë

Ekonomia ka përshpejtuar ritmet e rritjes në tre muajt e dytë të vitit. Nga të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave rezulton se në periudhën prill – qershor ekonomia u rrit me 3.21% nga 2.96% që ishte në tremujorin e parë.

Rritja në pjesën derrmuese mbështetet tek shërbimet dhe tregtia, ndërsa sektorët prodhues rezultojnë me një rritje modeste. Kontribuesi kryesor për këtë tremujor është tregtia, përfshi hotelet dhe restorantet, me 0.7% të rritjes totale, e ndjekur nga aktivitetet profesionale, me 0.51% dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme, me 0.43%. Njëkohësisht INSTAT pranon se një peshë të konsiderueshme të kësaj rritjeje e ka dhënë edhe formalizimi i ekonomisë. Sërish pesha e taksave mbi produktet që blenë shqiptarët rezultoi me rritje.

Por nga ana tjetër kontributi i industrisë rezulton modest me 0.18%, po ashtu edhe ndërtimi me 0.16%. Edhe për tremujorin e dytë vijon paradoksi me bujqësinë. Ndonëse ministria jep shifra në rritje, INSTAT vëren se ky sektor është i vetmi me kontribut negativ në ekonomi, përkatësisht me rënie të prodhimit 1.48% krahasuar me një vit më parë. Si 6 mujor rritja ekonomike rezulton 3.14%, ndërkohë qeveria dhe FMN parashikojnë që këtë vit rritja të jetë 3.4 përqind, ndërsa projeksion i Bankës së Shqipërisë është 3%.