KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Boriçi “Pezull” në FAB

Boriçi “Pezull” në FAB

Kur muza bën shkëndija me pasionin e artistit, rezultati është një rrugëtim nëpër ëndrra dhe ngjyra shpirti. E tillë është ndjesia në ekspozitën vetjake me titull “Pezull” të piktorit Ardit Boriçi e çelur në Galerinë FAB. Veshur me dimensione të mëdha dhe në teknikën vaj dhe akrilik në kanavace, artisti është në një kërkim të gjallë për tek vetja dhe ndjesitë e së vërtetës përmes zbërthimit poetik të mitit dhe legjendave. Ish student i piktorit Gazmend Leka, pushtetit dhe ndikimit të të cilit nuk i ka shpëtuar, Arditi rrefen se megjithëse ndikimin e mjeshtrit, liria per tek vetja është më e rëndësishme. Dhe sic shkruan edhe kuratori i kësaj ekspozite Gazmend Leka- “Arditi pikturon Pezullin, jo se është pezull dhe i paqartë, por i pëlqen të rrijë edhe pak në stadin embrional, si në ujrat e ngjizjes. Dëshiron edhe pak kohë të shohë turbull dhe në gri si një i porsalindur që e përcepton të tillë botën e formave dhe ngjyrave”.