KRYEFAQJA » LAJME » Elbasan, masa të rrepta për Shqipëri – Serbi
Elbasan, masa të rrepta për Shqipëri - Serbi

Elbasan, masa të rrepta për Shqipëri – Serbi

Të paktën 1500 punonjës policie do të angazhohen më 8 tetor në Elbasan kur do të luhet derbi ballkanik Shqipëri – Serbi, e vlefshme për eleminatoret e Euro 2016. Lajmi është bërë i ditur nga policia shqiptare, zyrtarët më ë lartë të së cilës kanë paraqitur detaje nga përgatitjet për këtë ngjarje të rëndësishme jo vetëm futbollistike. Impenjimi duket se do të fillojë që nga pikat kufitare, për të përfunduar në Elbasan. Qyteti i “Elbasan Arenës” do të ketë një regjim tjetër jete më 8 tetor. Qarkullimi do të ndërpritet thuajse tërësisht nga hyrja e tij perëndimore e deri tek stadiumi në lindje. Dyqanet, do të jenë mbyllur në rrugën kryesore dhe parkimi nuk do të lejohet. Banorët e pallateve rreth stadiumit janë lajmëruar të mos pranojnë persona të tjerë të shikojnë ndeshjen nga ballkonet e tyre. Tifozave që do të shkojnë në stadium u janë bërë paralajmërime të shumta. Ata do të kontrollohen të gjithë në hyrjen e stadiumit dhe duhet të mos kenë me vete fishekzjarre, sende të forta, shishe, monedha apo sende metalike.  Tifozat duhet të jenë pajisur me kartën e identitetit dhe biletën ku është shënuar edhe emri i gjithësecilit. Gjatë gjithë këtyre ditëve media ka transmetuar spote në të cilat bëhet thirrje që takimi të kthehet në festë, pavarësisht se kush do të fitojë në fund të tij. Me to janë bashkuar edhe thirrje e zyrtarëve më të lartë të shtetit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.