KRYEFAQJA » LAJME » Elbasan, rinis pyllëzimi
Elbasan, rinis pyllëzimi

Elbasan, rinis pyllëzimi

Në Elbasan nisi të hënën ripyllëzimi i zonës së degraduar përgjatë lumit Shushicë dhe sistemimi i shtratit të lumit Shkumbin në zonën e erozionit. Projekti parashikon mbjelljen e 3000 fidanëve të rinj, (akacie dhe plep) në një sipërfaqe prej 2 ha në një nga zonat ku efekti i erozionit ka shkaktuar dëme serioze në ekonominë dhe infrastrukturën e banorëve të kësaj zone. Ripyllëzimi i kësaj sipërfaqe, e cila prej dekadash ka vuajtur shkatërrimin e zonave të gjelbëruara, përmes prerjeve masive dhe zjarrvënieve të qëllimshme, shpresohet ti rikthejë mushkërinë banorëve të Shushicës, si dhe të rrisë ndjeshëm cilësinë e ajrit, për këto zona, duke e pastruar atë.
Kryeministri Edi Rama i pranishëm në nisjen e zbatimit të projektit, duke e vlerësuar Moratoriumin 10 vjeçar të ndalimit të shfrytëzimit të pyjeve si të vetmen përgjigje ndaj shfrytëzimit barbar të tyre, paralajmëroi se masa të tjera të rëndësishme do të ndërmerren. Ai tha se shumë shpejt do të kalojë në parlament edhe paketa për Kodin Penal kundër krimit mjedisor. “Me gjithë këto masa, në harkun e 5 viteve, gjerat do të vihen në kontroll të plotë dhe do të fillojë rigjenerimi dhe në harkun e 10 viteve Shqipëria do të ketë një pamje krejt tjetër, përsa i përket ekuilibrave të natyrës” premtoi kryeministri Rama.