KRYEFAQJA » LAJME » Elbasan, sulmohen me armë punonjësit e policisë, Tahiri: Krimi është trimëruar!
Elbasan, sulmohen me armë punonjësit e policisë, Tahiri: Krimi është trimëruar!

Elbasan, sulmohen me armë punonjësit e policisë, Tahiri: Krimi është trimëruar!

Elbasani është kthyer sërish në qendër të kronikës së zezë. Mbrëmjen e së mërkurës persona të identifikuar si pjestarë të një familjeje problematike me ligjin, kanë qëlluar me armë mbi disa punonjës të policisë, të cilët janë kundërpërgjigjur po me armë. Ngjarja ka ndodhur para Hotelit Univers, në daljen lindore të Elbasanit. Nuk regjistrohen të lënduar, por policia ka ndaluar dy persona të familjes Çapja e njohur në qytet për konflikte të përgjakshme gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave policët ishin në mision vëzhgimi, pa uniforme dhe me një makinë private. Pjestarëve të familjes Çapja, u kanë lindur dyshime se ata mund të ishin hasmit e tyre. Ata janë vënë në ndjekje të policëve dhe kanë shkëmbyer zjarr. Dy ditë më parë një pjestar i kësaj familje ishte në qendër të një atentati, por në të mbeti i plagosur një miku i tij dhe rastësisht një efektive policie.
Ngjarja u konsumua, ndërsa Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte në një dalje para medias. Sipas tij krimi është trimëruar nga goditja e paligjshme e Drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako. “I bëj thirrje çdo punonjësi policie, në çdo cep të Shqipërisë, të bëjnë punën e tyre me devotshmëri dhe kurajo, duke mos u stepur aspak nga çdo kërcënim i atyre që janë trimëruar sot, duke menduar që pushteti politik i atyre që deri dje ishin nën qeverisje, bashkë me ndihmësit e tyre në prokurori dhe gjykata, do të mundet të na bëjë ne të hedhim hapa pas, për ta bërë Shqipërinë më të sigurt dhe të drejtë” e aktualizoi thirrjen e tij ministri Tahiri.