KRYEFAQJA » LAJME » Elita e Evropës Juglindore në Bullgari

Elita e Evropës Juglindore në Bullgari

Më 31 maj dhe 1 qershor në Sofje do të takohen presidentë dhe ministra të punëve të jashtme të vendeve të Evropës Juglindore, me rastin e përfundimit të mandatit njëvjeçar të Bullgarisë si kryesuese e radhës e Procesit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP). Bulgaria ishte Kryesuese e radhës e SEECP-it nga 1 korrik 2015 deri më 30 qershor 2016, motoja e së cilës ishte “SEECP – 20 vite kyçi i bashkëpunimit rajonal”. Ky proces ishte nisur pikërisht nga Bullgaria në vitin 1996. “Filozofia e kryesisë bullgare udhëhiqej nga vizioni largpamës se stabiliteti, paqja dhe zhvillimi i rajonit janë të mundshme përmes thellimit më kategorik dhe të pakthyeshëm të demokracisë. Pikërisht për këtë është e nevojshme që të mbështeten reformat e vështira në rrugën drejt integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vendet e rajonit duhet të mendojnë dhe të veprojnë në mënyrë unike, për shkak se sfidat aktuale para tyre kërkojnë koordinim, veprime dhe zgjidhje të përbashkëta”, thuhet në njoftimin e ambasadës bullgare. Përzgjedhja e prioriteteve të Kryesisë bullgare (migracioni dhe përballimi i fluksit të refugjatëve, liria e mediave dhe fjalës, zhvillimi i ndërlidhjes infrastrukture dhe energjetike) janë shprehje konkrete e synimit që të përafrohet axhenda evropiane me Ballkanin perëndimor dhe rajonin e Evropës Juglindore në tërësi. Gjatë takimit të udhëheqësve shtetëror dhe qeveritar më 1 qershor në Sofje, Bullgaria do t’ia dorëzojë Kryesinë e SEECP-it Kroacisë, duke mbetur pjesëmarrëse aktive në formatin e “Trojka“. Në takimin e nivelit të lartë do të miratohet edhe deklarata jubilare, që pasqyron arritjen e Procesit gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Në të, vëmendje e posaçme do t’u kushtohet veprimeve të përbashkëta për zhvillimin e ardhshëm të rajonit.