KRYEFAQJA » LAJME » Elvis Roshi dëshmon në prokurori mbi deklarimin e pasurisë

Elvis Roshi dëshmon në prokurori mbi deklarimin e pasurisë

Një javë pasi Gjykata e Lartë vendosi t`i ndryshojë masën e sigurisë, nga “arrest shtëpie” në atë të “detyrimit me paraqitje” Elvis Roshi, merret për herë të parë në pyetje nga organi i akuzës.

Për më shumë se 30 minuta, kryetari në detyrë në Bashkinë e Kavajës, Elvis Roshi, nën shoqërinë e avokatit të tij mbrojtës, i është përgjigjur pyetjeve të prokurorit Enklid Gjini, duke pohuar se i qëndron të gjitha deklaratave publike të dhëna pas nisjes se hetimeve, për shkelje të ligjit të dekriminalizimit.

Ai ka mohuar faktin të ketë fallsifikuar dokumenta që kanë të bëjnë me pastërtin e figurës, duke kërkuar nga prokurorët t`i paraqesin të gjitha dokumentat e dërguara nga vendet ku thuhet se ai ka patur probleme me drejtësinë.

Prokuroria pretendon se Kryebashkiaku i Kavajës nuk ka deklaruar: dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të 1995 në Campobasso, nuk ka deklaruar dëbimin nga Italia dhe Zvicra, si edhe nuk ka deklaruar se është arrestuar në vitin 1997 me urdhër të Gjykatës së Zyrihut.
Mbi këto argumente prokuroria kërkoi arrestimin e tij, duke marrë nga gjykatat e dy shkallëve arrestin shtëpiak, ndërkohë që Gjykata e Lartë e urdhëroi kreun e bashkisë së Kavajës që të paraqitet të hënën e parë të çdo muaji pranë akuzës.