KRYEFAQJA » LAJME » Emigrantët pakistanezë në Greqi kërkojnë hapje të kufirit

Emigrantët pakistanezë në Greqi kërkojnë hapje të kufirit

Mijëra emigrantë nga Pakistani kanë mbetur të bllokuar në ishujt grekë pasi nuk konsiderohen si refugjatë nga zona lufte. Në ishullin Lezbos, pakistanezët zhvilluan një protestë ku kërkuan hapjen e kufijve me qëllim vazhdimin e rrugës drejt Evropës veriore. Autoritetet greke nuk pranojnë t’i levizin nga qendrat e pritjes duke i cilësuar emigrantë ekonomike. Kurse pakistanezët hodhën të indinjuar slogane: “A nuk jemi edhe ne njerëz? Hapni kufijtë!”. Zyrtarët grekë kanë lajmëruar se gjithë emigrantët e cilësuar si ekonomikë, përfshirë ata nga Pakistani do të kthehen në Turqi sipas marrëveshjes me Ankaranë dhe Brukselin që pritet të finalizohet këto dy ditë. Po ndërkohë, qindra të tjerë vazhdojnë të mbërrijnë në Greqi. Në portin e Pireusit zbarkimet vazhdojnë pa pushim, ashtu si dhe në porte të tjera të mëdha, duke krijuar në Greqi një krizë që është në prag të katastrofës.