KRYEFAQJA » LAJME » Ende paqartësi për propozimin amerikan mbi Reformën në Drejtësi
Tiranë: Negociatorët në përpjekje për konsensus

Ende paqartësi për propozimin amerikan mbi Reformën në Drejtësi

Në Tiranë media të ndryshme po përpiqen të zbardhin propozimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë mazhorancës dhe opozitës me anë të ndihmës-sekretares amerikane të shtetit Viktoria Njuland, për të mundësuar arritjen e konsensusit për Reformën në Drejtësi.
Në thelb propozimi ka të bëjë me çështjen e vetingut të institucioneve të institucioneve të drejtësisë, për të cilin të dy palët këmbëngulin.
Sipas mediave të ndryshme që sjellin detaje, seleksionimi i kandidaturave për anëtarët e institucioneve që do kryejnë vetingun, do të realizohet nga një operacion ndërkombëtar i monitorimit, ashtu sikurse parashikohet në draftin kushtetues të hartuar nga maxhoranca e majtë.
Ndërkaq formula e SHBA ka marrë në konsideratë edhe pjesë nga propozimi i opozitës së djathtë. Sipas saj 12 anëtarët e komisionit të posaçëm të kualifikimit, do të zgjidhen nga një komision me përbërje të barabartë midis maxhorancës dhe opozitës, apo “Ad hoc” sikurse është shprehur opozita.
Më parë kryeministri socialist zoti Rama ishte shprehur lidhur me këtë propozim, se ai ishte kalim nga “vendet e rezervuara në vendet e blinduara”, por tashmë mbetet të mësohet qëndrimi i tij i ri. Gjatë takimit me zonjën Njuland ai tha se është i hapur për çdo kompromis që nuk e cënon reformën, ndërsa kreu i opozitës Lulzim Basha ka këmbëngulur në arritjen e një konsensusi politik.
Të dy palët janë duke konsultuar propozimet dhe në orët e ardhshme do të mësohet më shumë rreth propozimit amerikan.