KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Energjitikë, inagurohet “autostrada” Shqipëri-Kosovë
Energjitikë, inagurohet "autostrada" Shqipëri-Kosovë

Energjitikë, inagurohet “autostrada” Shqipëri-Kosovë

Shqipëria dhe Kosova përuruan të martën linjën e re energjitike prej 400 kV, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një tregu të përbashkët energjitik, por edhe më gjerë. Cermonia me pjesmarrjen e kryeministrave Rama dhe Mustafa, si dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga të dy vendet, u zhvillua në Nënstacionin e Kasharit, pak kilometra larg Tiranës. Kryeministri Rama tha se inagurimi i kësaj linje është nisja e një kapitulli të ri për integrimin e të dy vendeve. “Sot shohim me krenari sa shumë kemi bërë për tu afruar dhe për ti dhënë hapësirës tonë të përbashkët fuqi dhe portenciale zhvillimi” tha ai. “Ky projekt që na ka mbledhur sot këtu është shenja më e fuqishme për potencialet e mëdha që kemi. Kryeministri shqiptar renditi më tej synimet e krijimi të tregjeve të përbashkëta në fushën e doganave, bujqësisë, arsimit, kulturës dhe fusha të tjera.
Edhe kryeministri i Kosovës Haki Mustafa tha se kjo është një fitore e përbashkët. “Ky projekt përmbush premtimet tona për një sistem energjik që do të plotësojë nevojat e tregut me energji” tha zoti Mustafa. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri shpreson se inagurimi i kësaj vepre në prag edhe të Samitit të Parisit do të bindi shumë shtete të Bashkimit Evropian që investimet në rajonin tonë janë të domosdoshme dhe shtetet e kanë vullnetin për të bashkëpunuar dhe për t’i realizuar ato në kohë. Për ministrin e ekonomisë së Kosovës Bledar Stavileci, ndërtimi i autostradës energjitike Shqipëri- Kosovë, është jo vetëm dëshmi e aspiratës që kanë vendet për integrimin në BE, por i hapin rrugë interesit strategjik bilateral dhe atij rajonal.
Linja e ndërlidhjes 400 kV Shqipëri – Kosovë ka nje gjatësi totale 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km shtrihen në territorin e Kosovës. Segmenti i parë i parë i linjës nga Tirana në Vaun e Dejës me gjatësi 80 km, përfshin shtrirjen e qarkut të dytë në linjën egzistuese Tiranë-Podgoricë dhe segmenti i dytë i linjës konsiston në ndërtimin e një linje të re me një qark Vau i Dejës-Morinë me gjatësi 71 km. Linja ka dy përcjellës për fazë të tipit ACSR 490/65 mm 2. Përcjellësi i mbrojtjes nga goditjet atmosferike do të jetë i pajisur në brendësi me fibra optike, për qëllime të telekomunikacionit dhe shkëmbimit të të dhënave. Sipas specialistëve Shqipëria dhe Kosova me këtë lidhje energjitike do të mund të përfitojnë për shkak të kombinimit të burimeve të prodhimit të energjisë. Shqipëria e bazon prodhimin e energjisë në 95 për qind nga hidrocentralet, ndërsa Kosova nga termocentralet.
Autoritetet shqiptare thonë se një projekt i rëndësishëm energjitik do të jetë edhe linja 400 kw me Maqedoninë. Kjo linjë do të kushtojë 70 mln euro prej te cilave 49.8 mln jane kredi nga KFW, 15.2 mln grante dhe 5 mln euro financohen nga vetë OST. Parashikohet që projekti të fillojë në vititn 2017 dhe të përfundojë në vitin 2018.