KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Energjitikë, përurohet Qendra Kombëtare Dispeçer
Qendra Kombëtare Dispeçer

Energjitikë, përurohet Qendra Kombëtare Dispeçer

Në Shqipëri është përuruar Qendra Kombëtare Dispeçer dhe Sistemi i Ri i Kontrollit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Mjaftë i kënaqur kryeministri Edi Rama tha se “Kemi hyrë në sistemin europian të monitorimit, shkëmbimit të energjisë”. “Ky sistem i jep fund shpërdorimit të energjisë elektrike” shtoi ai.
Nëpërmjet qendrës së re mundësohet monitorimi dhe operimi në kohë reale në të gjithë nënstacionet 400 kV dhe 220kV, si dhe në pjesën më të madhe të nënstacioneve 110 kV. Ndër përfitimet nga operimi me këtë sistem kontrolli është: shfrytëzimi optimal i rrjetit të transmetimit; optimizimi i përdorimit të burimeve; rritja e cilësisë së operimit dhe rritjen e besueshmërisë së sistemit energjitik.
Projekti i Sistemit SCADA/EMS, ka qenë kushti kryesor për anëtarësimin e Operatorit te Sistemit te Transmetimit në rrjetin europian të operatorëve të sistemit të transmetimit për energjinë elektrike. Sipas ministrit të energjisë Damian Gjiknuri, kjo është një nga veprat më të rëndësishme energjetike. “Shqipëria është e integruar tashmë në rrjetin energjetik europian dhe investitorë të mëdhenj po afrohen falë reformave të mëdha” tha zoti Gjiknuri. Projekti ka kushtuar 23 milionë euro dhe u financua përmes një kredie nga qeveria italiane. Punimet kanë nisur në korrik të vitit të kaluar.