KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Erdogan grave: Lindni fëmijë, mos përdorni kontraceptivë!

Erdogan grave: Lindni fëmijë, mos përdorni kontraceptivë!

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan u ka bërë thirrje myslimanëve të refuzojnë kontraceptivët dhe të kenë më shumë fëmijë. Në një fjalim të transmetuar live në televizion, ai tha se “asnjë familje myslimane” nuk duhet të konsiderojë terapinë për kontrollin e lindjes apo planifikimin familjar. “Ne do të shumojmë pasardhësit tanë,” tha Erdogan, i cili u bë president në gusht të vitit 2014, pasi ka shërbyer si kryeministër për 12 vjet. Partia e tij ka rrënjët në islamizëm dhe shumë prej mbështetësve të partisë së tij janë myslimanë konservatorë. Në fjalimin e të hënës në Stamboll, lideri turk vendosi barrën mbi gratë, veçanërisht në “nënat e arsimuara mirë”, që të mos përdorin kontrollin e lindjeve për të siguruar rritjen e vazhdueshme të popullsisë së Turqisë. Vetë Erdogan është baba i katër fëmijëve. Ai ka folur më parë kundër kontraceptivëve, duke e përshkruar atë si “tradhti”, kur ka folur në një ceremoni martese në vitin 2014. Ai ka bërë thirrje që gratë të kenë të paktën tre fëmijë, dhe ka thënë se gratë nuk mund të trajtohen si të barabarta me meshkujt. Instituti i Statistikave Turke ka thënë se shkalla e lindshmërisë e vendit ishte 2.14 fëmijë për grua në vitin 2015, normë e cila është mbi gjysmën e normës në vitin 1980.