KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Erdogan: Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, vendime të rëndësishme
Erdogan-supporters-turn-out-for-rally

Erdogan: Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, vendime të rëndësishme

Erdogan iu drejtua qindra mijëra njerëzve që nuk janë larguar nga vendi ku gjendet banesa e tij që nga data 15 korrik kur ndodhi tentativa për grusht shteti e FETO-s. Ai bëri të ditur se qeveria po bën përgatitje të rëndësishme për hapat që do të hidhen në lidhje me tentativën e shtypur të grusht shtetit. “Ditën e mërkurë do të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Këshilli i Ministrave. Më pas do të deklarojmë një vendim të rëndësishëm dhe do të fillojmë një proces të ri. Unë kam një shprehje që përdor “Do të zbresim në thellësi” kurse tani “do të zbresim tërësisht në thellësinë e tyre” tha Presidenti turk. Ai bëri të ditur se kjo nuk është një çështje dosido, por është çështje kombëtare atdhetare. “Ne këtë atdhe nuk do ta braktisim në duart e atyre që nuk dihet se çfarë janë,” tha Erdogan. Hapat e hedhura në instancat gjyqësore dhe polici do të vazhdojnë në mënyrë intensive, tha Erdogan dhe shtoi se në lidhje me liderin e FETO-s, Fethullah Gylen, Ministria e Drejtësisë ka përgatitur dosjet. Erdogan i bëri thirrje edhe medias ndërkombëtare. “Media! Kur u shkatërruan kullat binjake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si do ta shikonit sikur media ndërkombëtare të shkonte dhe të bënte një reportazh me Bin Ladinin? A do ta shihnit pozitivisht një gjë të tillë? Por tani që ky person ndërmerr një tentativë për grusht shteti në Turqi, si e shikoni një reportazh me këtë person duke shkuar në rezidencën prej 400 dynym tokë që i është dhënë nga pala e tij (mbështetësit)”.  Pas takimit që ishte në atmosferën e një mitingu, brenda ditës, fjalimi i Presidentit Erdogan i përgatitur në drejtim të popullit u transmetua në të gjithë kanalet televizive. Në fjalimin drejtuar popullit, Erdogan tha se në nismën tradhtare të datës 15 korrik, ata që morën në objektiv Shtatmadhorinë, Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë dhe Pallatin Presidencial, ishin terroristë të strehuar nën krenarinë e uniformës ushtarake. “Një tentativë për grusht shteti për herë të parë është penguar nga ana e popullit dhe kjo tregon forcën e demokracisë turke,” tha Presidenti Erdogan dhe shtoi: “Asnjë demokraci nuk pranon ushtarë, policë, avokatë dhe burokratë që marrin urdhra nga një organizatë terroriste”. Ai kërkoi edhe që populli të mos i konsiderojë të njëjtë këta kriminelë me ushtrinë turke. Erdogan u shpreh se cili të jetë dënimi i tradhtarëve të vendit në botë, të njëjtin dënim do të marrin edhe këta persona, ndërsa shtoi se që nga 15 korriku e deri më sot, të gjitha palët e popullit i kanë dalë për zot vullnetit kombëtar. Presidenti Erdogan deklaroi se do të zhvillojnë një përpjekje të pamëshirshme ndaj të gjitha organizatave terroriste, që kanë në objektiv unitetin e atdheut.