KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Erdogan për sulmet në Irak: Të luftojmë së bashku ndaj bishës gjakpirëse

Erdogan për sulmet në Irak: Të luftojmë së bashku ndaj bishës gjakpirëse

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se Turqia është vendi që mund të kuptojë më mirë dhimbjen dhe shqetësimin e shkaktuar nga sulmet me bomba në Irak. Erdogan në deklaratën me shkrim të bërë në lidhje me sulmet me bomba në Bagdad të Irakut ku humbën jetën mbi 200 persona dhe u plagosën 190 të tjerë, bëri të ditur se në emër të Turqisë dhe popullit turk, dënon sulmet që ndodhën në Irak, vendin mik dhe vëlla të Turqisë. Ai i shprehu ngushëllimet dhe dhimbjen e sinqertë popullit irakian me në krye familjet e viktimave që humbën jetën në sulmet e urryera. Ashtu si gjithmonë, edhe në këto ditë me dhimbje jemi pranë popullit irakian dhe i bëjmë të ditur se jemi të gatshëm për çdo lloj ndihme, tha Presidenti Erdogan, duke shtuar: “Ne si Turqi, çdo individ të popullit të Irakut që e pranojmë të gjithë si një i vetëm pavarësisht origjinës, besimit dhe sektit fetar, e shohim si vëllain tonë. Turqia është vendi që mund të kuptojë më mirë dhimbjen dhe shqetësimin e shkaktuar nga sulmet me bomba në Irak. Organizata me duar të përgjakura, para një kohe të shkurtër, edhe në vendin tonë ndërmori një veprim terrorist që mori jetët e 45 civilëve të pafajshëm. Kjo organizatë, duke përdorur emrin e Islamit dhe mbiemrin mysliman, i ka shpallur luftë islamit dhe myslimanëve. Të gjithë së bashku duhet të zhvillojmë një luftë të fuqishme kundër kësaj organizate që dëmton Islamin. Duke marrë shkas nga sulmet në Bagdad, ftoj gjithë botën islame dhe gjithë njerëzimin për të bashkëpunuar në mënyrë që të shpëtojmë rajonin tonë dhe botën nga kjo bishë gjakpirëse. Mbështetja e kësaj organizate nuk mund të justifikohet me asnjë arsye. Paralajmërojmë vendet perëndimore dhe veçanërisht anëtaret e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të mbajnë një qëndrim parimor ndaj organizatave terroriste”. Nga ana tjetër, pas sulmeve në Irak janë shpallur 3 ditë zie. Kurse Kryeministri Abadi, pas sulmeve, kërkoi që në të gjitha rrethet të mblidhen të gjitha pajisjet e dedektimit të eksplozivit. Gjithashtu do të fillohen inspektime në lidhje me korrupsionin në lidhje me këto pajisje si dhe palët që kanë siguruar hyrjen e tyre në vend. Sipas direktivave të reja, forcave të sigurisë me detyrë në pikat e kontrollit iu është ndaluar përdorimi i celularit.