KRYEFAQJA » LAJME » Erion Veliaj inspekton punimet për Bulevardin e ri Tiranës
Erion Veliaj inspekton punimet për Bulevardin e ri Tiranës

Erion Veliaj inspekton punimet për Bulevardin e ri Tiranës

Një nga projektet madhore të Bashkisë së Tiranës për vitin 2016 është Bulevardi i ri, i cili nis te Stacioni i trenit dhe vijon deri te lumi i Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj ka inspektuar punimet të nisura për këtë projekt duke konfirmuar zhvendosjen në këtë bulevard të institucioneve të rëndësishme të qeverisjes vendore dhe qëndrore. “Ne kemi marrë vendimin për të zhvendosur Bashkinë e Tiranës në Bulevardin e Ri. Sigurisht, do të ruajmë ndërtesën ceremoniale në qendër të sheshit “Skënderbej”, ndërkohë që 28 zyra të ndryshme të shpërndara nëpër qytet, që ofrojnë shërbime të bashkisë, do të grupohen në një ndërtesë të madhe administrative në bulevardin e ri”, tha kryebashkiaku Veliaj. Kryebashkiaku njoftoi edhe ndërtimin e një parkimi tjetër publik në këtë zonë dhe që do t’i shërbejë si banorëve të zonës, ashtu edhe atyre që do të kenë aktivitetet e tyre në zonën e Bulevardit të Ri. “Jemi të vendosur që të ecim me po të njëjtin ritëm edhe gjatë vitit 2016. Ambicia jonë është që brenda këtij viti, ne të kemi filluar punimet e parkingut nëntokësor për 400 makina, në zonën ku Unaza dhe ish-stacioni i trenit puqet me Bulevardin e Ri. Kemi vendosur për një hapësirë për trenin që do të mbërrijë në Tiranë, si një stacion terminal, por jo si një parking vagonash”. Sipas zotit Veliaj projekti ka ecur me ritmet e kërkuara dhe deri më tani është konturuar plotësisht kilometri i parë. Në ditët në vijim, mbetet ende për t’u zgjidhur çështja e shpronësimit të disa familjeve, ndërsa shumë shpejt do të nisë edhe ndërtimi i rrjetit sekondar i drenazhimit për mbledhjen e ujrave të bardha në qendër të bulevardit. Më pas, projekti do të vijojë me shtresat e rifiniturës, asfaltin, bordurat e gurit, trotuaret dhe gjelbërimin. Pas inspektimit që Kryebashkiaku i Tiranës i bëri punimeve të  Bulevardit të Ri, reaguan përmes një deklarate për mediat këshilltarët e djathtë në Bashkinë e Kryeqytetit. Sipas tyre Veliaj pasi braktisi qytetarët ne kulmin e përmbytjeve për një udhëtim turistik në SriLanka, po mburret me punën e bërë nga administrata Basha në Bashki. Sipas tyre ështe kjo administratë që ka realizuar projektin, siguroi fondet, si edhe nisjen dhe avancimin e punimeve. Qeveria e majtë, theksojnë këshilltarët e djathtë, bllokoi për dy vite në mënyrë antiligjore projektin, sikundër hapjen e mijera vendeve të reja të punës përmes zbatimit te tij.