KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » Ethe për Rumani – Shqipëri
Ethe për Rumani - Shqipëri

Ethe për Rumani – Shqipëri

Shqipëria dhe Rumania po vazhdojnë përgatitjet intensive për derbin ballkanik të së dielës, me shpresën se do të arrijnë të kualifikohen për turin e ardhshëm të “Euro 2016”.
Kuqezinjtë të cilët kanë pësuar dy humbje të pamerituara me Zvicrën dhe Francën, premtojnë një takim të jashtëzakonshëm. “Ne kemi një ëndërr tonën për të vazhduar përpara, për të qëndruar sa më gjatë këtu në Francë dhe për të lënë gjurmë. Unë kam shumë besim se Shqipëria do të lërë gjurmë në këtë Europian. Për Rumaninë kemi shumë respekt, por do të thoja se kjo është ndeshja jonë” tha në konferencë për shtyp Andi Lila. Ndërsa Bekim Balaj kujtoi se “Ndeshja me Rumaninë është mundësia jonë e fundit për të pretenduar kalimin më tej, ndaj dhe do të japim gjithçka. Ndoshta deri diku do të na duhet edhe pak fat, pasi dihet që kualifikimi nuk është vetëm në duart tona. Duhet të presim edhe rezultatet e grupeve të tjera” tha Bala.
Edhe për rumunët takimi i së djelës me Shqipërinë është i vështirë. Mbrojtësi i krahut të majtë, Razvan Rat, i cili u dëmtua në takimin me Zvicerën tha se “Ndeshja me Shqipërinë do të jetë shumë e vështirë. Ata rezistuan deri në fundin e kohës së rregullt ndaj Francës. Ka shumë presion mbi ne, mbi të gjitha që askush nuk është i kënaqur me atë që na rezervoi shorti. Nuk do të jetë e lehtë pasi është e vështirë të fitosh, sidomos në finalet e një kompeticioni” tha Rat.
Shqipëria dhe Rumania shpresojnë të jenë ndër katër ekipet më të mira të vendeve të treta në gjashtë grupe. Kushti i domosdoshë, por jo i mjaftueshëm është fitorja. Statistikat janë në favor të rumunëve. Prej 68 vitesh kuqezinjtë nuk kanë fituar ndonjëherë ndaj tyre.