KRYEFAQJA » LAJME » EULEX do të transferojë gradualisht aktivitetet tek institucionet vendore

EULEX do të transferojë gradualisht aktivitetet tek institucionet vendore

Misioni EULEX në partneritet me autoritetet kosovare do të vazhdojë me transferimin gradual të aktiviteteve të tij tek institucionet vendase dhe aktorët tjerë të BE-së. Pas vendimit të Këshillit për ta vazhduar mandatin e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë deri më 14 qershor 2018, dhe pas shkëmbimit të letrave ndërmjet Presidentit Hashim Thaçi dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së Federica Mogherini, Misioni EULEX në partneritet me autoritetet kosovare do të vazhdojë me transferimin gradual të aktiviteteve të tij tek institucionet vendase dhe aktorët tjerë të BE-së. EULEX Kosova do ta ndihmojë Kosovën, autoritetet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit në përparimin e tyre drejt qëndrueshmërisë dhe llogaridhënies, si dhe në zhvillimin dhe fuqizimin e mëtejmë të sistemit të pavarur shumetnik të drejtësisë dhe policisë dhe shërbimit doganor shumetnik, duke siguruar që këto institucione të jenë të lira prej ndërhyrjeve politike dhe që i përmbahen standardeve të pranuara ndërkombëtare dhe praktikave evropiane më të mira. Ky Mision, në bashkëpunim të plotë me Programet e Asistencës të Bashkimit Evropian do ta zbatojë mandatin e tij përmes monitorimit dhe këshillimit, ndërsa i ruan disa përgjegjësi të caktuara ekzekutive. Përmes funksionit ekzekutiv të tij ky Mision do të ofrojë mbështetje për vendimet në lëndët e të drejtës kushtetuese dhe civile, si dhe në ndjekjen dhe gjykimin e lëndëve të përzgjedhura penale. Në të njëjtën kohë, lëndët e EULEX-it do të vlerësohen vazhdimisht me qëllim që këto lëndë të ri-kualifikohen si lëndë të përbashkëta, duke i angazhuar më tej autoritetet kosovare të drejtësisë, prokurorisë dhe ato hetimore në mënyrë që të ndërtohen kapacitetet kosovare në këto fusha. Në parim të gjitha hetimet penale dhe gjykimet e reja penale do të kryhen nga autoritetet e Kosovës, me panele gjyqësore të përbëra nga gjyqtarë të Kosovës. Vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, një rast mund t’i caktohet një prokurori të EULEX-it, ose një panel të përbëhet nga shumica e gjyqtarëve të EULEX-it. Gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it do të vazhdojnë të jenë të bashkëvendosur në institucionet e Kosovës dhe të shërbejnë në përputhje me ligjet kosovare. EULEX Kosova, i krijuar në vitin 2008, i ndihmon dhe mbështetë autoritetet e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, veçanërisht ato që lidhen me policinë, gjyqësinë dhe doganën.