KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » Euro 2016: Belgjika i bën poker Hungarisë
Euro 2016: Belgjika i bën poker Hungarisë

Euro 2016: Belgjika i bën poker Hungarisë

U luajt sot në orën 21:00 në stadiumin Municipal në Tuluzë ndeshja e gjashtë e 1/8 finale ndërmjet Hungarisë dhe Belgjikës. Ndeshja fillon me ritme të shpejta por është Belgjika që në të 10′ kalon në avantazh. De Bruyne vijëzon një trajektore të butë nga një goditje dënimi nga e majta, Alderweireld i ikën mbrojtjes kundërshtare dhe me kokë e dërgon topin në rrjetë. Në të 15′ De Bruyne gjuan në portë por pret Király. Kapiteni hungarez Dzsudzsák në të 23′ gjuan në portë por ndërhyn portjeri belg Courtois. Një gjuajtje spektakolare e De Bruyne në të 35′ me të djathtën por refleksi i mrekullueshëm i Király e shpëton portën hungareze nga një gol i sigurtë. Belgjika pranë golit të dytë në të 38′, përsëri De Bruyne. Mertens gjuan në portë në të 42′ por Király pret.

Menjëherë në fillim të pjesës së dytë është Hazard që rrezikon portën hungareze, Király dërgon topin në goditje këndi. Në të 62′ Nainggolan gjuan me të djathtën por topi del jashtë pranë portës. Në të 78′ vjen edhe goli i dytë belg, Hazard shërben një top për të sapofuturin në lojë Batshuayi i cili me të djathtën mund portjerin hungarez. Në të 80′ kapiteni belg Hazard vulos kualifikimin për në çerekfinale, gjuan me të djathtën dhe 0-3. Në fund të ndeshjes vjen edhe goli i katërt i Belgjikës, shënon Carrasco në të 91′. Belgjika në çerekfinale do të takohet me Uellsin të premten me 1 korrik në Lilë.