KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » EURO 2016, dita e parafundit e fazës së ndeshjeve në grupe
topi

EURO 2016, dita e parafundit e fazës së ndeshjeve në grupe

Ndryshe nga dy ditët e mëparshme, dita e 12-të e Evropianit do të sjellë një përshpejtim të ritmit të zhvillimit të ndeshjeve, pasi do të luhen 4 takime, të vlefshme për grupet C dhe D. Këto takime nisin njëkohësisht, dhe, në ora 18:00, Irlanda e Veriut ndeshet me Gjermaninë, ndërsa Polonia me Ukrainën. Irlandezo-veriorët, të cilët janë në kuotën e 3 pikëve, do të kënaqeshin edhe me një pikë ndaj gjermanëve, edhe për faktin se këta të fundit, tanimë në kuotën e 4 pikëve, mund të zgjidhnin në turin tjetër më tepër një përballje me Zvicrën, sesa një përballje të mundshme, ndonëse hipotetike, me Portugalinë. Në duelin tjetër, Ukraina është e eliminuar dhe kjo nënkupton një detyrë më të thjeshtë për Poloninë, e cila, në varësi edhe të rezultatit të takimit tjetër të grupit, mund ta mbyllë në krye të renditjes. Kësisoj, Kampionati i 15-të Evropian i Futbollit, që po e zhvillon në Francë fazën e tij finale, ka hyrë në dy ditët e fundit të fazës së ndeshjeve në grupe, prej nga do të përcaktohen edhe 16 skuadrat që do të vazhdojnë më tej aventurën e tyre kontinentale dhe 8 skuadrat që do të kthehen në shtëpi.