KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » Euro 2016: Griezmann dërgon në finale Blutë
Euro 2016: Griezmann dërgon në finale Blutë

Euro 2016: Griezmann dërgon në finale Blutë

U luajt sot në orën 21:00 në stadiumin Velodrome në Marsejë ndeshja e dytë gjysmëfinale ndërmjet Gjermanisë dhe Francës, e para kampione bote në fuqi ndërsa e dyta vendi mikpritës i Euro 2016. Dy vjet pas eliminimit në botërorin Brazil 2014, Franca “hakmerret” kundër Gjermanisë dhe shkon në finale ku do të përballet me Portugalinë. Ky është një sukses që mban firmën e Griezmann, autor i dy golave në këtë ndeshje dhe kryesues i tabelës së golashënuesve me gjashtë gola. Kjo fitore historike, francezët nuk kishin fituar një ndeshje zyrtare me Gjermanine që në botërorin e vitit 1958 pra prej 58 vjetësh, i lejon vendasit që të kthehen në finale pas 16 vjetësh.

Franca ishte e mirë por edhe me fat. Ishte e mirë sepse arriti të mbante me një përqëndrim të madh një skuadër që, edhe pse ishte shumë më mirë në mesfushë, me shumë vështirësi arriti të bëhej e rrezikshme në sulm. Me fat pasi pati përballë një kundërshtar me mungesa lojtarësh dhe të lodhur nga beteja me Italinë. Ftancezët duhet të falenderojnë mendjelehtësinë e Schweinsteiger që në të 45’+1′ prek topin me dorë. Në minut më vonë Griezmann gjuan nga pika e bardhë dhe mund portjerin gjerman Neuer i cili hidhet në krahun e kundërt të topit. Kënga e gjelave fillon. Në pjesën e dytë Gjermania filloi të sulmonte më fort por në të 61′ humbi një tjetër lojtar të fortë, dëmtohet Boateng dhe hyn në lojë Mustafi. Franca e mbajti me rregull kundërshtarin të cilin e goditi në gabimin më të vogël. Në të 72′ Pogba fitoi një top në zonë të cilin e krosoi në mes, Neuer ndërhyri pa saktësi duke e dërguar topin në këmbët e Griezmann që dyfishon rezultatin për vendasit. Kështu në finalen e së dielës në Stade de France në Sen-Deni shkon skuadra e Didier Deschamps. Vendasit do të jenë pretendentët kryesorë për fitimin e titullit, por duhet patur kujdes dëshira për “hakmarrje” e Portugalisë që akoma nuk e ka fshirë nga kujtesa atë gjysmëfinale kundër francezëve në vitin 1984 kur Michel Platini e ndëshkoi në të 119′.