KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » Euro 2016: Italia mposht 2-0 Belgjikën e fuqishme
Euro 2016: Italia mposht 2-0 Belgjikën e fuqishme

Euro 2016: Italia mposht 2-0 Belgjikën e fuqishme

Në stadiumin Parc Olympique Lyonnais të Lionit sot në orën 21:00 u vunë përballë njëra-tjetrës Belgjika dhe Italia, ndeshja e dytë kjo për Grupin E. Italia e fillon ndeshjen në sulm. Që në të 4′ provon Éder i cili lëshon një top që ndalohet nga Vermaelen para se të përfundojë në krahët e Courtois. Belgjika bëhet e rrezikshme, në të 10′ Nainggolan merr një top nga Fellaini gjuan me të djathtën dhe Buffon shpëton portën duke e dërguar topin në goditje këndi. Belgët luajnë më mirë. Është përsëri Nainggolan që merr top nga Fellaini gjuan përsëri me të djathtën por këtë herë nuk e gjen pasqyrën e portës. Në të 24′ Chiellini dërgon në goditje këndi një top të gjuajtur nga Ciman. Pas këtij rasti Italia fillon të marrë frymë më lirshëm. Pellè në të 29′ gjuan por topi shkon larg shtyllës së majtë të Courtois. Në të 32′ Bonucci jep një top shumë të gjatë prej rreth 40 metrash për te Giaccherini i cili e ndalon, e rregullon dhe shënon. Italia në avantazh. Përsëri Italia e rrezikshme, Candreva gjuan në portë por Courtois pret. Në të 41′ zgjohet Belgjika, De Bruyne kërkon të bëjë diçka por topi largohet në vijën anësore.

Edhe në pjesën e dytë Italia ngul këmbë në gjetjen e golit të dytë. Candreva, në të 54′, lëshon një top në zemër të zonës së reptësisë për Pellè i cili gjuan me kokë dhe e detyron Courtois të bëjë një pritje spektakolare. Në të 56′ Hazard gjuan me të majtën por Buffon kontrollon topin. Në të 69′ Giaccherini i përgjigjet me trupin e tij gjajtjes me të majtën të Hazard. Në të 74′ Courtois devijon një gjuajtje që bëri Giaccherini. Në të 80′ guajtja e De Bruyne bllokohet. Edhe Martens një minutë më vonë bllokohet. Immobile në të 84′ i afrohet shumë golit të dytë por Courtois devijon në goditje këndi. Në minutën e fundit shtesë (93′), Candreva është vetëm për vetëm me Courtois por nuk gjuan por e kalon topin te Pellè i cili fluturimthi e përcjell në rrjetë, pra, 2-0.