KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » Euro 2016, Kombëtarja shqiptare zhvendoset në Marsejë

Euro 2016, Kombëtarja shqiptare zhvendoset në Marsejë

Kombëtarja shqiptare u ka dhënë mbrëmë fund përgatitjeve në kampingun kuqezi në Përrò Gire, me seancën stërvitore të së hënës në mbrëmje dhe konferencën për shtyp. Sipas axhendës, të martën, në orën 11:00 skuadra është nisur drejt Marsejës për takimin e së mërkurës në mbrëmje, atë kundër përfaqësueses vendase, Francës. Në vijim, Kombëtarja kuqezi do të akomodohet në Marsejë dhe pritet të zhvillojë në mbrëmje edhe seancën e fundit stërvitore, në stadiumin “Velodrom”, aty ku do të zhvillohet edhe ndeshja e dytë e vlefshme për grupin A. Interesant ishte fakti se, midis seancave stërvitore, është zhvilluar dje një ndeshje miqësore midis dy skuadrave të përziera, të përbërë anëtarëve të stafit teknik, të drejtuar nga trajneri Xhovani De Biazi, dhe zyrtarët të Federatës Shqiptare të Futbollit, të drejtuar nga presidenti Armand Duka dhe zëvendëspresidenti Lutfi Nuri. Në përfundim, këtë miqësore interesante e fitoi, natyrisht, ekipi i presidentit Duka, i cili shënoi edhe gola.