KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » Euro 2016: Ndeshjet e fundit në grupe për dy vende në Francë
Euro 2016: Ndeshjet e fundit në grupe për dy vende në Francë

Euro 2016: Ndeshjet e fundit në grupe për dy vende në Francë

Sot përfundojnë të gjitha ndeshjet në grupe të vlefshme për një vend në Euro 2016. Përballë njëra tjetrës do të jenë skuadrat e grupeve A, B dhe H.

Në grupin A do të përballen: Letoni – Kazakistan, Holandë – Republikë Çeke dhe Turqi – Islandë. Të gjitha ndeshjet janë në orën 20:45. Islanda dhe Republika Çeke e kanë prerë biletën për në Francë. Turqia e vendit të tretë ka 15 pikë ndërsa Holanda e vendit të katërt ka 13 pikë. Turqisë, për t’u kualifikuar drejtpërdrejtë për në Euro 2016, i duhet të fitojë me Islandën dhe njëkohësisht duhet fitorja e Kazakistanit në Letoni për ta kaluar Hungarinë, kryesuesen e klasifikimit të vendeve të treta. Hungaria ka 15 pikë, Turqia me fitore arrin në 16 pikë pasi i hiqen 2 piket e marra kundër Letonisë. Në rast se nuk fiton, Turqisë i mjafton vetëm një barazim për të fituar të drejtën për të luajtur në play-off pasi në ndeshjet e drejtpërdrejta kundër Holandës ka barazuar në Holandë 1-1 dhe ka fituar në Turqi 3-0. Ndërsa Holandës i duhet patjetër fitorja me Republikën Çeke dhe njëkohësisht të shpresojë në fitoren e Islandës në Turqi për të fituar të drejtën për të luajtur në play-off. Pra, si përfundim, me mbarimin e ndeshjeve të Grupit A do të mësojmë se cila nga skuadrat e vendeve të treta do të shkojë në Euro 2016, Hungaria që në letër është e favorizuar apo Turqia.

Në grupin B do të përballen: Belgjikë – Izrael, Qipro – Bosnje dhe Uells – Andorë. Të gjitha ndeshjet janë në orën 20:45. Belgjika dhe Uellsi tashmë e kanë siguruar kualifikimin e drejtpërdrejtë në Euro 2016. Bosnja e vendit të tretë ka 14 pikë, Izraeli i vendit të katërt ka 13 pikë ndërsa Qipro e vendit të pestë ka 12 pikë, pra kemi një garë të hapur mes tre skuadrave. Të tre skuadrat luftojnë për fitorë dhe shpresojnë në një hap të gabuar të dy kundërshtarëve të tjerë për të fituar drejtën për të luajtur në play-off.

Në grupin H do të përballen: Bullgari – Azerbajxhan, Itali – Norvegji dhe Maltë – Kroaci. Të gjitha ndeshjet janë në orën 20:45. Vetëm Italia e ka prerë biletën për në Francë. Norvegjia e vendit të dytë ka 19 pikë ndërsa Kroacia e vendit të tretë ka 17 pikë. Në rast se dy skuadrat e mbyllin klasifikimin me pikë të barabarta, Kroacia kualifikohet si e dyta në grup pasi në ndeshjet e drejtpërdrejta me Norvegjinë ka fituar 5-1 në vend dhe ka humbur 2-0 në Norvegji. Norvegjia mund të sigurojë biletën për në Francë vetëm me fitore kundër Italisë.

Ceremonia e shortit që përcakton çiftet që do të luajnë në play-off do të mbahet në Nion të Zvicrës të dielën me 18 tetor në orën 11:20. Ndeshjet e vajtjes do të luhen me 12, 13 dhe 14 nëntor dhe ato të kthimit me 15, 16 dhe 17 nentor, nga këtu do të dalin dhe katër skuadrat e fundit që do të presin biletën për në France.