KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » “Euro 2016” në shifra

“Euro 2016” në shifra

Futbolli është një lojë për të rinj, por kështu nuk mendojnë disa futbollistë, përfshirë edhe portierin e dytë të kombëtares shqiptare, Orges Shehi, i cili është lojtari i tretë më i moshuar në Evropian. Në të vërtetë, numri 1 i Skënderbeut këtë pozicion duhet ta ndajë me tre të tjerë, përfshirë portierin e Italisë, Xhanluixhi Bufon, si dhe mbrojtësin e Portugalisë, Rikardo Karvajo. Por, kush është lojtari më i vjetër që do të jetë në Evropian? Për vendin e parë do të ketë dy lojtarë, ose më saktë, dy portierë, Shej Givën i Irlandës dhe Gabor Kirali i Hungarisë. Ndërkohë, Kombëtarja kuqezi spikat edhe për statistika të tjera. Ndonëse mesatarja e gjatësisë si skuadër është e admirueshme, me 1 metër e 82 centimetra, Shqipëria është një ndër 6 përfaqësueset më shtatshkurtëra të këtij Evropiani, në çatinë e të cilit qëndron Suedia, me 1 metër e 86 e më pas vijnë Austria, Belgjika, Kroacia, Gjermania, Hungaria, Islanda e kështu me radhë, kurse përfaqësuesja më shtatshkurtër është Spanja, me 1 metër e 80 centimetra. Po kështu, Kombëtarja kuqezi është një nga përfaqësueset më të lehta të këtij Evropiani, me një peshë mesatare prej 75.65 kilogramësh. Më e rënda? Gjermania, me plot 80.30 kg.