KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » Euro 2016: Një gol i Modrić thyen Turqinë
Euro 2016: Një gol i Modrić thyen Turqinë

Euro 2016: Një gol i Modrić thyen Turqinë

Në stadiumin Parc des Princes në Paris, Kroacia mund Turqinë 1-0 në ndeshjen e parë të vlefshme për Grupin D. Që në fillim të ndeshjes, Kroacia bëhet e rrezikshme. Në të 13′ janë turqit që bëhen të rrezikshëm me anë të Tufan. Mandžukić gjuan me kokë në të 17′ por topi bllokohet nga Balta. Në të 29′ janë turqit që rrezikojnë portën kroate me anë të Tufan. Një minut më vonë është Modrić por gjuan lart me të djathtën. Mandžukić gjuan rrafsh me tokë në të 39′ por pret Babacan. Në të 41′ vjen goli kroat, Modrić bën një gjuajtje fluturimthi dhe topi shkon në rrjetë.

Në të 50′ një goditje dënimi e Rakitić nga krahu i djathtë, Mandžukić e devijon topin me kokë por pa krijuar probleme për Babacan. Janë përsëri kroatët që rrezikojnë, dy minuta më vonë Srna godet traun e portës. 15 minutat e para të pjesës së dytë flasin për Kroacinë. Terim bën ndryshime për të gjallëruar lojën turke po nuk është se ndryshon ndonjë gjë për mirë. Në të 68′ Modrić lëshon një top për Mandžukić i cili godet me kokë mbi traun e portës turke. Në të 71′ janë turqit që sulmojnë, Çalhanoğlu gjuan fort por topi del jashtë. Një minut më vonë Perišić godet traun e portës turke, përsëri kroatët tregohen të pasaktë në gjuajtjet e tyre. Në të 81′ janë turqit që rrezikojnë, Erkin gjuan në portë por është gjitmonë i vëmendshëm Subašić që pret në dy kohë. Ndeshja e dytë për këtë grup luhet nesër në orën 15:00 në Tuluzë ku përballë njëra-tjetrës do të vihen Spanja dhe Republika Çeke.