KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » Euro 2016: Portugalia kampione Europe për të parën herë
Euro 2016: Portugalia kampione Europe për të parën herë

Euro 2016: Portugalia kampione Europe për të parën herë

Portugalia është kampionia e re e Europës në futboll. Heroi i saj është Eder, i cili me golin e tij në minutat shtesë u dha portugezëve kupën e “Euro 2016”. Francezët u zhytën në dëshpërim pasi ishin përgatitur të ngrinin trofeun në vendin e tyre. Përveç fitores, Portugalia do të mbahet mend edhe për rezultatet e arritura në këtë eveniment. Ajo u shpall fituese pas 5 barazimesh dhe vetëm një fitoreje, asaj në finale. Ky takim më shumë se për rastet  e humbura nga të dyja palët, do të mbahet mend edhe për mungesën e Ronaldos. Ylli portuges, një nga lojtarët më të paguar në botën e futbollit, u detyrua të linte fushën e lojës në mesin e pjesës së parë pas një dëmtimi, duke shpërthyer në lot. Për francezët i vetmi ngushëllim, pas një organizimi të shkelqyer të “Euro 2016”, është Antuan Grizman. Me gjashtë golat e shënuar, ai është shënuesi më i mirë i kampionatit.

Historia e takimit

Francë – Portugali u luajt mbrëmjen e 10 korrrikut në orën 21:00 në Stade de France në Sen-Deni. Ndeshja fillon mirë për vendasit dhe me shumë vështirësi për portugezët. Cristiano Ronaldo dëmtohet dhe në të 25′ del jashtë me barrelë. Gjithçka bëhet shumë e vështirë për skuadrën e drejtuar nga Fernando Santos. Në të 34′ Rui Patricio shpëton portën e tij nga Sissoko.

Franca rrezikon në të 66 me anë të Griezmann i cili merr një top nga Coman, por e nxjerr jashtë. Përsëri francezët bëhen të rrezikshëm në të 74′ për portën luzitane por Rui Patricio e shpëton nga gjuajtja e Giroud. Kundërsulmon Portugalia,por francezët janë të vemendshëm. Në të 80′ gjuan Quaresma, por Lloris shpëton portën e bluve. Sissoko gjuan fort jashtë zonës në të 84′, por pret përsëri Rui Patricio. Në të 90’+2′ Gignac godet shtyllën e djathtë të portës së luzitane. Një rast i mirë për portugezët në të 104′, por pret Lloris. Në të 108′ Raphael Guerreiro tund traun e portës franceze nga një goditje dënimi. Éder gjuan fuqishëm me të djathtën në të 109′ dhe mposht Lloris, Portugalia në avantazh.

Franca ul kokën në shenjë respekti dhe përshendet Portugalinë kampionen e re të Europës.  Festa shpërthen si në Stade de France në sektorët e tifozëve portugezë dhe në të gjithë Portugalinë.