KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » Euro 2016: Shqipëria do të luajë në Grupin A
Euro 2016: Shqipëria do të luajë në Grupin A

Euro 2016: Shqipëria do të luajë në Grupin A

U hodh sot në orën 18:00 në Pallatin e Kongreseve në Paris shorti i Euro 2016. Kampionati i 15-të europian i futbollit do të zhvillohet në Francë nga 10 qershori deri me 10 korrik.

Shqipëria do të luajë në Grupin A bashkë me Francën vendase, Rumaninë dhe Zvicrën. Ndeshjen e parë kombëtarja kuqezi, e drejtuar nga trajneri italian Giovanni De Biasi, do ta luajë me 11 qershor në Lens ku në stadiumin Bollaert-Delelis do të përballet me Zvicrën në orën 15:00. Ndeshjen e dytë do ta luajë në Marsejë me 15 qershor kundër vendasve të Francës në stadiumin Velodrome në orën 21:00 ndërsa ndeshjen e tretë do ta luajë me 19 qershor në stadiumin e Lionit ku në orën 21:00 do të ketë përballë në një derby ballkanik, Rumaninë.

Ja dhe shorti i pesë grupeve të tjera. Në Grupin B janë Anglia, Rusia, Uellsi dhe Sllovakia. Në Grupin C janë Gjermania, Ukraina, Polonia dhe Irlanda e Veriut. Në Grupin D janë Spanja, Republika Çeke, Turqia dhe Kroacia. Në Grupin E janë Belgjika, Italia, Irlanda dhe Suedia. Në Grupin F janë Portugalia, Austria, Islanda dhe Hungaria.

Historiku i Shqipërisë më skuadrat e Grupit A është si vijon. Me Francën është ndeshur gjashtë herë, 1 fitore, 1 barazim dhe 4 humbje. Katër herë janë ndeshur në eliminatoret për kampionat europian, ku është mundur 4 herë. Dy ishin ndeshjet miqësore, ku Franca bënte ndeshje miqësore me skuadrat e Grupit I për eliminatoret e Euro 2016. Kombëtarja jonë mori 1 fitore dhe 1 barazim. Me Rumaninë jemi ndeshur 16 herë dhe kemi 2 fitore, 3 barazime dhe 11 humbje. Për eliminatoret e botërorit jemi ndeshur dy herë dhe kemi 2 humbje. Për eliminatoret e europianit jemi ndeshur 6 herë, 0 fitore, 2 barazime dhe  4 humbje. Gjithashtu kemi luajtur edhe 8 ndeshje miqësore në të cilat kemi 2 fitore, 1 barazim dhe 5 humbje. Me Zvicrën jemi ndeshur 6 herë, asnjë fitore, 1 barazim dhe 5 humbje. Katër herë jemi ndeshur për eliminatoret e botërorit ku kemi 4 humbje ndërsa në dy ndeshjet për eliminatoret e europianit kemi 1 barazim dhe 1 humbje.