KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » Euro 2016: Shqipëria fiton dhe shpreson akoma
Euro 2016: Shqipëria fiton dhe shpreson akoma

Euro 2016: Shqipëria fiton dhe shpreson akoma

U luajt sot në orën 21 në Parc Olympique Lyonnais në Lion ndeshja e pestë e vlefshme për Grupin A ndërmjet Rumanisë dhe Shqipërisë. Kjo ishte ndeshja e tretë dhe e fundit e kombëtares tonë në grup. Në të 5′ janë rumunët që rrezikojnë me anë të Hoban por Berisha e kontrollon në dy kohë. Përsëri janë rumunët që rezikojnë në të 8′, gjuan Stancu por Berisha thotë prap jo. Në të 17′ gjuan Măţel nga larg por topi shkon shumë lart. Në të 23′ vjen rasti më i mirë për Shqipërinë, Lila i jep një top Lenjanit por ky gabon shumë rëndë. Në të 35′ Memushaj hyn në zonë gjuan lehtë dhe pret Tătăruşanu. Dhe çasti historik për Shqipërinë vjen në të 43′, Memushaj jep një top nga e djathta për Sadikun që me kokë djeg daljen e keqe të portjerit Tătăruşanu dhe shënon 1-0. Ky është goli i parë i kombëtares kuq e zi në një ngjarje futbollistike të nivelit të lartë.

Në pjesën e dytë vazhdon të këmbëngulë Shqipëria, në të 47′ Mavraj gjuan me kokë por topi shkon mbi portën rumune. Në të 61′ gjuan Torje për rumunët por Ajeti e devijon topin. Në të 67′ goditje dënimi nga 25 metra nga ana e Sânmărtean por Balaj largon rrezikun. Balaj jep një top për Memushajn në të 70′ por gjuajtja e tij është e pasaktë. Stancu liron në thellësi Andone në të 76′ i cili gjuan dhe topi përplaset në traun e portës së Berishës. Ky ishte dhe rreziku më i madh për skuadrën e drejtuar nga Giovanni De Biasi. Në të 87′ gjuan Abrashi por topi largohet nga mbrojtja rumune.

Në ndeshjen tjetër të grupit tonë u vunë përballë njëra-tjetrës, në orën 21:00 në stadiumin Pierre Mauroy në Lilë, Zvicra dhe Franca. Kjo ndeshje përfundoi 0-0. Edhe pse du skuadrat ndanë pikët mes tyre, ky barazim u lejon të vazhdojnë më tej në këtë kampionat. Franca në vendin e parë me 7 pikë dhe Zvicra në vendin e dytë me 5 pikë. Shqipëria e cila renditet e treta me 3 pikë në Grupin A duhet të presë akoma për të mësuar nëse është kualifikuar për në turin tjetër apo jo. Rumania doli fundit me vetëm 1 pikë.