KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » Euro 2016: Shqipëria humb në përballjen e parë
Euro 2016: Shqipëria humb në përballjen e parë

Euro 2016: Shqipëria humb në përballjen e parë

Shqiperia e fillon me humbje ndeshjen e parë të saj në një ngjarje kaq të rëndesishme si kampionati europian. Ndeshja e dytë e Grupit A u luajt në stadiumin Bollaert-Delelis në Lens. Skuadra e drejtuar nga Giovanni De Biasi u mund nga Zvicra me rezultatin 1-0. Kjo ndeshje ishte një lloj derby pasi shumë lojtarë të Zvicrës janë shqipfolës, por edhe dy vëllezrit Xhaka që luajnë kundër njëri-tjetrit.

Ndeshja filloi menjëherë keq për djemtë kuq e zi. Që në të 5′ Zvicra, e drejtuar nga Vladimir Petković, shënoi me anë të Schär, mbrojtësi i Hofenhajmit. Shqiponjat kërkojnë të reagojnë ndaj golit. Rasti më i mirë për ekipin tonë vjen në minutën e 31′ kur Xhaka lëshon një top për Sadikun i cili vetëm për vetëm me Sommer gabon. Kombëtarja jonë ngelet me dhjetë vetë në të 36′ kur kapiteni Cana merr të verdhën e dytë dhe spanjoli Carballo e nxjerr jashtë me të kuqe. Zvicra ka një rast të mirë shënimi në të 36′ me anë të Džemailit por topi godet shtyllën e majtë të portierit Berisha.

Në pjesën e dytë kuq e zinjtë tanë e përmirësojnë lojën e tyre. Seferović i afohet golit në të 53′. Në të 76′ është Sadiku që i afohet golit por topi prek anën e jashtme të rrjetës. Një rast tjetër i shkëlqyer për ne vjen në të 87′ kur Gashi gabon vetëm për vetëm me Sommer. Ndeshja Shqipëri – Zvicër ishte një garë që ishte më e drejtë të mbyllej me një barazim i cili nuk erdhi kurrë. Ndeshjen e radhës ekipi ynë e luan të mërkurën me 15 qershor në stadiumin Velodrome të Marsejës kundër Francës.