KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » Euro 2016: Sonte finalja Francë-Portugali

Euro 2016: Sonte finalja Francë-Portugali

Portugalia dhe mikpritësja e këtij europiani, Franca do të përballen sonte në Stade de France në kërkim të trofeut të këtij eventi të madh europian.

Në 30 ditët e kaluara në dhjetë stadiume të Francës 24 ekipet kombëtare luajtën gjithsej 50 ndeshje të EURO 2016 ku në fund për luftën e titullit të kampionatit në kontinentin e vjetër kanë mbetur kombëtaret e Francës dhe Portugalisë.

Ndeshja finale do të zhvillohet sonte në ora 21:00 në stadiumin “Stade de France” në Saint-Denis ndërsa drejtësinë në terren do ta ndajë arbitri anglez Mark Clattenburg.

Të përzgjedhurit e trajnerit francez Didier Deschamps paralajmëruan betejë vendimtare për titullin e tretë të kampionit në Evropë. Sulmin e “trekolorëve” do ta udhëheq Antoine Griezmann i cili deri më tani në kompeticion ka shënuar gjashtë gola.

Nga ana tjetër, kombëtarja e Portugalisë, e udhëhequr nga Cristiano Ronaldo, gjatë turneut ka përmirësuar formën dhe duket se është e gatshme të pres duelin e finales.

Tre barazimet në grup, dhe goli në kohën shtesë ndaj Kroacisë si dhe penaltitë kundër Polonisë ishin një rrugë e vështirë e Portugalisë deri në gjysmëfinale në të cilën me lehtë nga sa pritej mposhtën Uellsin dhe treguan se në momentin vendimtar sulmi ka hyrë në formë.

Ballafaqimi mes këtyre dy perfaqësueseve,pritet të sjellë një ndeshje të madhe,edhe pse “gjelat” për disa nuanca llogariten favorit,pasi që luajnë në shtëpinë e tyre.