KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » EURO 2016, sonte Gjermani-Itali
ndeshja

EURO 2016, sonte Gjermani-Itali

Nëse ka ndonjë sfidë që e përkufizon realisht futbollin e kontinentit të vjetër, ajo padyshim duhet të jetë një duel midis Gjermanisë dhe Italisë. Edhe për arsyen e thjeshtë se, ashtu sikundër do të ndodhë sonte, kur këto dy skuadra të zbresin në fushën e blertë të stadiumit të Bordosë, bashkë me to zbresin edhe 8 tituj të kampionëve të botës, nga 4 për secilën përfaqësuese, si dhe 4 tituj të kampiones së kontinentit, 3 për gjermanët dhe një për italianët. Këto janë shifrat që do t’i përsëritin me kënaqësi tifozët e Gjermanisë, ndërsa ata të Italisë krenohen me faktin se nuk e njohin humbjen në 8 përballjet e deritanishme në kuadër të fazave finale të veprimtarive madhore futbollistike. Në total, në 33 ndeshje gjithsej, Italia ka fituar 15 ndeshje, Gjermania 8, ndërsa 10 ndeshjet e tjera janë mbyllur në barazim. Megjithatë, sikundër e kanë theksuar edhe të dy trajnerët përpara kësaj sfide, ndeshja e sotme nis nga 0-0 dhe gjithçka është për t’u luajtur dhe për t’u fituar në të. Ajo në të cilën pajtohen të gjithë, është se këto kanë qenë padyshim dy prej skuadrave më të spikatura të këtij Evropiani dhe vetëm shorti ia ka mohuar “Francë 2016”-ës në finale këtë duel. Dhe ajo që mund të thuhet me plot gojën, është se, padyshim, fituesi i këtij dueli mund të jetë edhe kampioni i ri i kontinentit të vjetër. Për të gjitha këto, sot Evropa mban frymën duke nisur nga ora 21:00 dhe në fushë zbresin titanët.