KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » EURO 2016, trajneri i Francës Deshamps i druhet sfidës me Shqipërinë

EURO 2016, trajneri i Francës Deshamps i druhet sfidës me Shqipërinë

Francën e pret një ndeshje e vështirë sot në Velodrom. Kështu është shprehur në konferencën për shtyp Didier Deshamps, përpara sfidës me Shqipërinë. Ai ka pranuar se i ka frikë kundërshtarët e sotëm. “Do të luajmë kundër një skuadre shumë të organizuar. Jo më kot ka një skuadër të drejtuar nga një trajner italian, që ka bërë një punë të shkëlqyer. Mbrohet mjaft mirë dhe kundërsulmojnë shpejt. Futbollistët shqiptarë shkojnë në sulm me të gjitha forcat, e nuk kanë vetëm cilësi fizike, por edhe mendore”. Deshamps ka folur më pas edhe për ndeshjen me Rumaninë, nga e cila nuk ka mbetur i kënaqur nga loja e futbollistëve të tij. “Rezultati është thelbësor, por ndonjëherë mënyra se si arrihet duhet riparë. Jam i bindur se ndeshja e parë me Rumaninë na ka bërë që të reflektojmë. Do të doja të ishim më zotër të fushës në atë ndeshje”, ka thënë Deshamps. Nisur nga kjo, trajneri i skuadrës transalpine pret një tjetër prezantim nga skuadra e tij në ndeshjen ndaj Shqipërisë. Përsa i përket formacionit, trajneri francez ka vendosur që Pogba dhe Grizman të mos luajnë titullarë ndaj Shqipërisë. Për këtë zgjedhje të tij, ai jep këtë përgjigje: “Dua vetëm të fitoj, nuk ka rëndësi se kush luan. Kemi tre ndeshje në grup. Të parën e fituam, kjo është e dyta. Unë nuk bëj asnjë llogari. E pamë që ndeshja e parë nuk ishte e thjeshtë. Shikoni kalendarin. Duhet ndryshim”.