KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » Euro 2016, UEFA gjobit dhe paralajmëron me skualifikim Rusinë

Euro 2016, UEFA gjobit dhe paralajmëron me skualifikim Rusinë

Federata e Futbollit e Rusisë është gjobitur me 168,000 dollarë për shkak të dhunës së tifozëve në Kampionatin Evropian të Futbollit Euro 2016, në Francë. Federata Evropiane e Futbollit – UEFA ka paralajmëruar po ashtu se kombëtarja ruse mund të përjashtohet nga turneu në rast dhune të mëtejshme. UEFA ka thënë se skualifikimi do të hyjë në fuqi nëse “incidente të natyrës së ngjashme ndodhin brenda stadiumit” në ndonjërën nga ndeshjet e mbetura të Rusisë. Ndërkohë, grupe të ndryshme tifozësh ruse po dëbohen nga Franca pas skenave të vazhdueshme të dhunës gjatë turneut Euro 2016. Policia franceze fajësoi 150 shtetas rusë “të mirëstërvitur” për përleshje, përpara se të luhej ndeshja Angli-Rusi në Marsejë. Gjashtë tifozë anglezë u burgosën ditën e hënë për rolin e tyre në trazirat dhe UEFA ka kërcënuar se do të skualifikojë të dyja skuadrat nëse do të ketë sërish dhunë. Rusia luan me Sllovakinë më 15 qershor në Lille. Tifozët rusë janë përleshur me tifozët anglezë përpara ndeshjes së dy vendeve më 11 qershor në Marsejë. Të paktën 35 veta, shumica britanikë, janë plagosur në përleshje.