KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Europol, raporti për ekstremizmin në europë
Europol, raporti për ekstremizmin në europë

Europol, raporti për ekstremizmin në europë

Një numër rekord sulmesh terroriste, të zbuluara apo të kryera, u shënuan vitin e shkuar në Europë, Agjencia europiane e zbatimit të ligjit, Europol, u shpreh sot se 211 sulme u shënuan në Europë në vitin 2015, shifra më e lartë kjo që nga viti 2006. Mbretëria e Bashkuar ishte në krye të listës me numrin më të madh të sulmeve, 103, megjithëse shumë prej tyre u regjistruan në Irlandën e veriut, ndjekur më pas nga Franca me 72 sulme të planifikuara, zbuluara apo kryera, dhe Spanja në vendin e tretë me 25 sulme . Nga 1077 arrestime të lidhura me terrorizmin të kryera gjatë vitit të shkuar në Europë, më shumë se gjysma e tyre, ose 687 prej tyre, ishin për shkak të terrorizmit xhihadist. Nga këta të arrestuar, 94 përqind e tyre u shpallen fajtore nga gjykatat. Sulmet terroriste të dështuara, të zbuluara apo të kryera u ndërmorën në gjashtë shtete europiane, Danimarkë, Francë, Greqi, Itali, Spanjë dhe Mbretëri e Bashkuar. Përveç arrestimeve për terrorizëm xhihadist, ka patur 67 arrestime në lidhje me ekstremizmin e krahut të majtë, 11 në lidhje me ekstremizmin e krahut të djathtë, dhe 168 separatiste. Një numër tjetër prej 144 arrestimesh ishin të paspecifikuara. Sipas Europol, 151 persona humbën jetën dhe 360 të tjerë u plagosën për shkak të incidenteve terroriste vitin e shkuar. Në raportin e tij, Europol nënvizon se kërcënimi terrorist është rritur për shkak të numrit të konsiderueshëm të luftëtarëve terroristë të kthyer në territoret e shteteve anëtare të BE-së si dhe rritjes domëthënëse të ndjenjave nacionaliste ksenofobe, raciste dhe antisemitike në BE, të cilat kanë rezultuar në ekstremizmin e krahut të djathtë.