KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » EUROSIG blen INSIG

EUROSIG blen INSIG

Qeveria shqiptare ka shpallur firmën EUROSIG si fituese të tenderit për blerjen e kompanisë shtetërore të sigurimeve INSIG. Tenderi u hap dy javë më parë kur qeveria nxorri në shitje 100 përqind të aksioneve të INSIG, me vlerë 15 milionë euro. Katër kompani shqiptare paraqitën ofertat e tyre, por oferta më e lartë ishte ajo e kompanisë fituese Eurosig me 2.2 miliardë lekë. Sipas të dhënave zyrtare EUROSIG deri tani renditej shoqëria e tretë e madhe në tregun shqiptar të sigurimeve të jo jetës  me mbi 15 për qind, pas SIGAL-UNIQA GROUP Austria sha dhe SIGMA INTERALBANIAN Vienna Insurance Group. Por me këtë blerje ka shumë mundësi që EUROSIG të renditet i dyti.
Procesi i privatizimit të INSIG ka nisur që në vitin 2007, por ai ka dështuar disa herë. Në tentativat e privatizimit janë përfshirë edhe BERZH dhe IFC, por pa sukses. Në vitin 2010, pati shpresa për një privatizim të suksesshëm, pasi një kompani amerikane deklaroi se do t’i blinte të gjitha aksionet për 50 milionë USD, por kjo kompani më pas u tërhoq.
Privatizimi i INSIG-ut u bë së fundi dhe objekt i shkëmbimit të replikave në parlamentin shqiptar. Ish kryeministri Sali Bersha tha se vlera reale e këtij institucioni është 38 milionë euro, por po shitet me çmim të lirë për klanet. Kryeministri Rama akuzoi qeverinë e mëparshme se katandisi INSIG nga kompani lider në një fantazëm. Ai tha se ofertat janë përtej parashikimeve më optimiste.