KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » FA angazhohet në kontrollin dhe pastrimin e TAP
FA angazhohet në kontrollin dhe pastrimin e TAP

FA angazhohet në kontrollin dhe pastrimin e TAP

Kompania EOD (Explosive Ordnance Disposal) e Forcave të Armatosura Shqiptare, është angazhuar në kontrollin dhe pastrimin nga armatimet dhe municionet në territorin ku është parashikuar të ndërtohet TAP (Trans Adriatic Pipeline), njofton ATSH. Sipas saj në këtë operacion kompania EOD po përdorin pajisjet e fundit të teknologjisë. Kontrolli do të shtrihet në një gjatësi 209 km, me gjerësi mesatare prej rreth 40 m dhe në thellësi 6 metra. Operacioni për kontrollin dhe pastrimin e gjurmës ku do të kalojë tubacioni, pritet të zgjasë rreth 2 vjet. Pas çdo faze të këtij operacioni, territori i kontrolluar nga ushtarakët shqiptarë do të çertifikohet dhe do t’i dorëzohet firmës nënkontraktore për ndërtimin e tubacionit.
Në Shqipëri tubacioni TAP do të jetë rreth 215 km i gjatë, duke filluar në Bilisht Qendër, në Qarkun e Korçës, që kufizohet me Greqinë. Dalja në det e TAP-it në Shqipëri do të jetë 17 km në Veriperëndim të Fierit, deri në 400 metra në brendësi të tokës larg nga vija bregdetare. Pjesa e tij në ujërat territoriale shqiptare do të jetë rreth 37 km e gjatë. Pika më e lartë do të jetë 1800 metra mbi nivelin e detit në malet shqiptare, ndërsa pika më e ulët do të jetë 820 metra në thellësi të ujërave në Detin Adriatik.