KRYEFAQJA » LAJME » Fabrikë Përpunimi Qumështi në Universitetin Bujqësor të Tiranës
Fabrikë Përpunimi Qumështi në Universitetin Bujqësor të Tiranës

Fabrikë Përpunimi Qumështi në Universitetin Bujqësor të Tiranës

Universitetit Bujqësor të Tiranës, një nga qendrat më të rëndësishme universitare në vend është pasuruar me një ambient të ri. Ndryshe nga sa mund të mendohet, bëhet fjalë për një Fabrikë e Përpunimi Qumështi, një kontribut financiar i BE. Fabrika do të furnizojë jo vetëm mencat e studentëve dhe konsumatorë të tjerë, por do ti shërbejë edhe mësmdhënies. Kreu i parlamentit Ilir Meta shprehu kënaqësinë që studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë praktikat e tyre mësimore dhe të lidhin akoma më mirë dijet që ata marrin me përvojën konkrete. “Jam i bindur që kjo qendër do të jetë e hapur dhe do të jetë bashkëpunuese edhe me të gjithë të interesuarit për të rritur aftësitë dhe kapacitet e tyre në drejtim të përvetësimit të metodave më bashkëkohore të përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij” tha zoti Meta. Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit Edmond Panariti, teksa vlerësoi qendrën e përpunimit të qumështit si tregues në drejtimin e duhur të zhvillimit, apeloi për konsumim të produkteve shqiptare, pasi ato ofrojnë cilësi dhe siguri. “Këtë vit kemi bërë një hap të rëndësishëm në zbutjen e bilancit negativ tregtar që patëm të trashëguar duke pasur një dominim akoma më të madh të produkteve të bujqësisë shqiptar dhe të blegtorisë në tregun tonë dhe dekurajimin e produkteve të importuara. Mendoj dhe kam bindjen se produktet tona plotësojnë standardet më të larta të cilësisë dhe të sigurisë” tha zoti Panariti, ndërsa sot shënohet edhe dita e konsumatorit.
Fabrika e Përpunimit të Qumështit në Universitetin Bujqësor të Tiranës nuk është e vetmja. Prej kohësh në këtë qendër të rëndësishme mësimore dhe shkencore, funksionon edhe Laboratori i Teknologjisë së Përpunimit të Drithërave dhe Produkteve të Paketuara. Studentët kanë të gjitha kapacitetet teknologjike për të analizuar dhe përpunuar një sërë produktesh. UBT konsiderohet si një prej qendrave të rëndësishme arsimore, shkencore dhe prodhuese, një synim i ri i arsimit të lartë shqiptar në vitet që vijnë.