KRYEFAQJA » LAJME » Fajon paralajmëron planin për liberalizimin e vizave
fajon

Fajon paralajmëron planin për liberalizimin e vizave

Të enjten do të zhvillohet debati i parë në Parlamentin Evropian për propozimin e Komisionit Evropian për heqjen e vizave për Kosovën, ku do të paraqiten argumentet e Komisionit Evropian. Edhe pse në Parlamentin Evropian është e qartë mbështetja e shumicës së madhe për t’i hequr vizat Kosovës, procedura do të mund të shkojë edhe përtej pushimeve të verës dhe duket tepër ambicioze që vizat të hiqen që në verën e këtij viti. Tanja Fajon ka paralajmëruar se ajo do të bëjë çmos që të ketë një plan ambicioz për këtë. Fajon gjithmonë ka promovuar domosdoshmërinë që edhe Kosova të hyjë në të ashtuquajturin Shengenin e bardhë. Duke reaguar pas emërimit, ajo u shpreh e gëzuar me faktin se tani po përmbyllet procesi, ku të gjithë qytetarët e rajonit do gëzojnë lëvizjen e lirë. Ajo ka paralajmëruar se do shqyrtojë “gjendjen aktuale” me institucionet e tjera të BE-së dhe disponimin mes kolegëve dhe qeverive të vendeve anëtare. Fajon porosit Prishtinën zyrtare se kriteret që duhet përmbushur janë të qarta dhe nënkupton ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, si dhe dëshmi konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në deklaratën për shtyp e lëshuar pas emërimit të saj, Tanja Fajoin u shpreh se bashkëpunimi transparent dhe efikas, si dhe komunikimi i sinqertë do të shërbejnë si bazë për këtë fazë përfundimtare të procesit. Një ditë më parë Parlamenti Evropian, ka emëruar deputeten sllovene nga radhët e socialistëve, Tanja Fajon, si Raportuese parlamentare për liberalizimin e vizave për Kosovën.