KRYEFAQJA » LAJME » Fatura e majme e reformës
Nis verifikimi i pasurive i 775 gjyqtarëve dhe prokurorëve

Fatura e majme e reformës

E ndërsa ekonomistët në vend vlerësojnë se reforma në sistemin gjyqësor do të ketë impakt pozitiv në ekonomi, aktualisht ajo që dihet me siguri është fatura e majmë që pritet ti kushtojë buxhetit të shtetit kjo reformë. Televizioni Publik Shqiptar ka arritur të sigurojë përllogaritjet e pagave, pensioneve si dhe një sërë shpërblimesh të tjera, trajtime financiare të cilat mbartin kosto të konsiderueshme dhe të paparashikuar në buxhetin e shtetit. Komisioni i posaçëm i reformës në drejtësi përmes dy projektligjeve pjesë të paketës propozon trajtim financiar që tejkalon të gjitha pritshmëritë e minsitrisë përgjegjëse, asaj të financave. Fatura financiare për pagat e gjyqtareve dhe prokurorëve që del nga formula e propozuar nga ky komision është trefishi i shumës aktuale.

 

Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Propozimi i komisionit të reformës 4.5 mld lekë/ vit

Fondi aktual 1.8 mld lekë / vit

diferenca 2.7 mld lekë/ vit

Referuar ndryshimeve rrënjesore, nga 1.8 mld lekë që është aktualisht fondi për paga dhe sigurime të detyrueshme bëhet 4.5 mld lekë në vit. E thënë ndryshe, paga mesatare mujore për magjistratët rritet me gati 2 mln lekë të vjetra në muaj. Dokumenti që zotëron Televizioni Publik, shkruan se paga mesatare shkon nga 138 000 lekë në muaj që është aktualisht, në 333 000 lekë në muaj.

Pagat mesatare per gjyqtarët dhe prokurorët

Propozimi i draftit 330 000 mijë lekë/ muaj

Paga aktuale 138 000 mijë lekë/ muaj

Dhe këtu nuk përfshihen shtesat e pagës për vjetërsi në muaj, në bazë të së cilave paga në total gati dyfishohet. Shtesat janë të llojeve të ndryshme, për funskion, për vjetërsi pune, për drejtim, për sigurimin e jetës për vetë familjen dhe pronën, si dhe për rritjen dhe edukimin e fëmijës. Por nga të gjitha këto shtesat, financat evidentojnë si problem shtesën e pagës për vjetërsi në ushtrimin e funksionit, e cila sipas tyre rritet në mënyre jo propocionale dhe shkon deri në 75% të pagës bruto. Sipas kësaj skeme propozohet që shtesa maksimalisht të jetë 850 mijë lekë të vjetra në muaj, që e çon pagën bruto mujore mbi 5 mln lekë të vjetra, vlerë dy herë më e lartë se paga aktuale më e lartë në republikën e Shqiperisë.

 

Por çfarë propozojnë financat për pagat e magjistratëve?

Palët ndajnë vlerësime të ndryshme financiare për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nëse komisioni është treguar dorëlëshuar duke propozuar paga me standarde ndërkombëtare, financat duken më pranë realitetit shqiptar. Në tabelën e propozuar nga ekspertët e minsitrisë propozohen paga më të ulta nga drafti dhe një trajtim financiar me kosto të përballueshme.

Pagat e gjyqtareve dhe prokurorëve

Fondi aktual 1.8 mld lekë / vit

Propozimi i komisionit të reformës 4.5 mld lekë/ vit

Propozimi i financave 2.8 mld lekë / vit

Nga 4.5 mld lekë që kërkojnë hartuesit e drafteve për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, financat japin 2.8 mld lekë, gati dyfishin e vlerës me fondin aktual të buxhetit për paga dhe sigurime shoqërore të punonjësve të sistemit. Sipas ekspertëve të ministrisë së financave, paga mesatare mujore për magjistratët të jetë 207 000 lek në muaj dhe jo 330 000 lekë sikurse propozohet në draft.

 

Pagat mesatare për gjyqtarët dhe prokurorët

Paga aktuale 138 000 mijë lekë/ muaj

Propozimi i draftit 330 000 mijë lekë/ muaj

Propozimi i financave 207 000 mijë lekë / muaj

Por kjo dilemë do të marr fund në komisionin e posaçëm, të reformës në drejtësi kur të nis diskutimi dhe miratimi i draftit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pjesë e 7 ligjeve shoqëruese të reformës.