KRYEFAQJA » LAJME » Bota » FBI hetim të ri për email-et e Hillari Klinton, pak ditë para zgjedhjeve
hillary-clinton-emails-FBI-raid

FBI hetim të ri për email-et e Hillari Klinton, pak ditë para zgjedhjeve

Skuadra e Hillari Klinton ka sfiduar FBI-në mbi vendimin për të kërkuar një hetim të ri mbi email-et e kandidates demokrate. Drejtori i FBI, James Cumej, informoi Kongresin për këtë lëvizje me anë të një letre të premten, vetëm 11 ditë para zgjedhjeve. Zonja Clinton e konsideroi këtë akt si të paprecedent dhe thellësisht shqetësues, ndërkohë që nga kampi republikan, Donald Trump ka përgëzuar zyrën e FBI për këtë vendim. Në letrën e tij drejtuar Kongresit, Cumej thotë se FBI ka mësuar për ekzistencën e email-eve të reja që mund të kenë lidhje me hetimin e mëparshëm, të hapur ndaj kandidates demokrate, për përdorimin e një serveri privat kur ajo shërbente si sekretare e shtetit në administratën Obama. Cumej e ka mbrojtur këtë vendim, duke këmbëngulur se mospublikimi i çështjes rrezikon të keqkuptohet, nisur nga fakti se FBI nuk e di rëndësinë e email-eve të gjetur rishtazi. Zonja Klinton ka shprehur besimin e saj se hetimi nuk do të ndryshojë gjetjet e FBI-së në korrik, të cilat e kritikuan atë por nuk gjetën asnjë provë të ndonjë akti ilegal të demokrates. Shumë mbështetës të Klinton dhe zyrtarë të departamentit të drejtësisë e kanë kritikuar Cumejn për vendimin e tij për të publikuar këto informacione kaq pranë ditës së zgjedhjeve. Donald Trump ndërkohë, ka deklaruar se çështja është skandali më i madh politik në Shtetet e Bashkuara që prej Uotergejt, që solli edhe shkarkimin e presidentit të atëhershëm, Richard Nikson. Në tubimin e tij në Colorado, Trump i konsideroi veprimet kriminale të Clinton si të paramenduara dhe të qëllimshme.